Publikohet audiopërgjimi me fakte të rënda për 21 janarin, Ndrea Prendi: Sapo të kalohet gardhi me tela hapni zjarr luftarak!

Është bërë publike audiopërgjimi që familja e Aleks Nikës kishte mbajtur si provë prej vitesh e që tashmë ia dorëzoi SPAK. 

Nga dje prokuroria e Posacme ka në dorë audiopërgjimin me urdhërat nga lart për të qëlluar ndaj protestuesve të 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë 4 protestues, mes tyre dhe Aleks Nika.

Në audiopërgjim është komunikimi që bën Ndrea Prendi me drejtuesit kryesorë të gardës, kryesisht të Batalionit Special të njësisë speciale. Regjistrimi fillon 12 minuta para vrasjeve dhe vazhdon 22 minuta pas vrasjeve. Aty vjen drejtori i përgjithshëm, ministri kërkon një mjet të blinduar. Drejtori i gardës në fund kërkon një bilanc se sa gardistë janë dëmtuar.

Pjesë nga regjistrimi:

Ndrea Prendi: Artan, dëgjon?

Artan Hoxha, zv/komandanti i Gardës: Dëgjoj, dëgjoj

Ndrea Prendi: Me të kaluar gardhi i telave do të hapet zjarr luftarak

Zv/komandanti: Kuptova, kuptova

Ndrea Prendi: Ky është urdhëri

Ndrea Prendi: Dashamir, dëgjuat?!

Dy efektivë të njësisë speciale: Alfred (Alfred Ahmetcenaj) ta, ta, ta gjakos.

Ndrea Prendi: Alfred?

Alfred Ahmetcenaj: Po dëgjoj

Ndrea Prendi: Kujdes municionin! Kujdes municionin!”
SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në protestën e 21 Janarit të vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.