Shoferët problematikë do të paguajnë siguracion më të lartë për makinën nga janari 2025! (7 faktorët e rrezikut)

Drejtuesit problematikë të mjeteve, të cilët kanë historik negativ me aksidentet, do të paguajnë më shumë për sigurimin e makinës.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar rregulloren e re për llogaritjen e primit të sigurimit, ku çmimet që drejtuesit e mjeteve do të paguajnë për sigurimin e detyrueshëm do të diferencohen bazuar në 7 faktorë risku.

Rregullorja u prezantua në Komisionin e Ekonomisë nga drejtuesja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare Mimoza Kaçi.

“Ka përfshirë 7 faktorë rreziku, për të cilat kemi të dhëna të disponueshme. Këto faktorë do të ndikojnë në primin e sigurimeve.

1-Historiku i dëmeve, është punuar për databazën e dëmeve në autoritet, ky regjistër furnizohet nga shoqëritë e sigurimeve dhe mbahet nga autoriteti, po punohet që edhe shoqëritë të kenë akses në këtë informacion për dëmet e një drejtuesi.

2-Fuqia motorike, sa më i lartë kubikazhi i mjeteve aq më i lartë dëmi që shkakton, dhe aq më i lartë primi i sigurimit.

3- Mosha 18-21 vjeç është mosha më e penalizuar në policën e sigurimit të automjetit.

4- Eksperienca në drejtimin e mjetit.

5- Përdorimi i mjetit, nëse është subjekt apo kompani pasi kur është mjet biznesi përdoret nga disa drejtues

6- Qarku i regjistrimit të mjetit, që ka të bëjë me incidenteve të aksidenteve sipas qarqeve.

7- Vjetërsia e mjetit”, tha Kaçi.

Rregullorja e re do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2025, dhe sipas drejtueses së AMF-së, sigurimi i diferencuar do të ndikojë në ndërgjegjësimin e drejtuesve.

Hyn në fuqi më 1 janar 2025, deri në fund të këtij viti ne do të bëjmë gati procesin. Kjo periudhë do të shërbejë edhe për ndërgjegjësimin e qytetarët, për të mirat që ata kanë me këtë sistem të rëndësishëm të sigurimit të mjeteve. Do të sjellë më shumë drejtim të kujdesshëm për drejtuesit e mjeteve. Çdo dëm i shkaktuar, do ti ndikojë në çmimin e policës në vijim. Përllogaritja e primit nga kompanitë e sigurimit do të jetë publike”, tha Kaçi.