Edi Rama “viral” me deklaratën për BRICS, ja si e komentojnë në rrjetet sociale

Kryeministri Edi Rama jo rrallë herë ta tërhequr vëmendjen e publikut ndërkombëtar, si me deklaratat që bën por edhe nga aspekte të tjera si sjellja apo veshja jo konvencionale.

Këtë herë, një deklaratë e tij për organizatën ndërkombëtare BRICS.

Rama është pyetur se sa mundësi ka që edhe Shqipëria t’i bashkohet BRICS një ditë, dhe përgjigja e tij ka qenë e prerë, madje duke e quajtur tregun e përbashkët të shteteve që konsiderohen si “anti-perëndim”, si një “shaka”.

“Së pari, BRICS është një shaka. Së dyti, historia na ka mësuar në rrugën e vështirë se ka vetëm një vend ku mund të mbështetemi.

Kjo është Europa, Bashkimi Evropian. Ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Procesi i integrimit është një udhëtim i rëndësishëm me një qëllim të madh.

Nuk ka alternativë për këtë rrugë. Nuk ka tundim për të kërkuar diku tjetër sepse ne kemi qenë diku tjetër dhe e dimë se si është atje”, tha Rama.

Kjo deklaratë ka tërhequr vëmendje të madhe dhe reagime të shumta, madje edhe nga një faqe e BRICS që shpërndan lajme rreth kësaj organizate.

BRICS, fillimisht i përbërë nga Brazili, Rusia, India dhe Kina, është zgjeruar duke përfshirë Afrikën e Jugut, Egjiptin, Etiopinë, Iranin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Deklarata e Ramës, padyshim që ka ngjallur shumë pakënaqësi te mbështetësit e BRICS, por edhe pro-rusët që “gëlojnë” në Twitter (X).