KLP-ja i kërkoi të mos sulmojë prokurorët e SPAK, Berisha i kthehet edhe kryetares së KLP-së: Je ….

Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur thirrjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi i kërkoi të mos ofendojë prokurorët e SPAK-ut.

Thirrja e KLP-së erdhi pas një lumë epitetesh me fjalë të ulëta që Berisha i drejtoi dy ditë më parë kreut të SPAK-ut, Altin Dumani.

Por Berisha nuk e ka pritur mirë thirrjen e KLP, pasi ka sulmuar edhe kryetaren e këtij institucioni Mirela Bogdani, duke e quajtur si “skllave të Vath Stakës dhe Altin Dumanit”.

Deklarata e Berishës:

Të dashur miq, sot kryetarja e KLP-së, zonja Bogdani, e cila është kryetare e KLP-së, kandidatura e Arben Rakipit, e mafiozit, e kryemafiozit të Shkollës së Magjistraturës dhe xhelatit të Sigurimit të Shtetit, sot ka bërë një komunikatë pas sulmeve të ligjshme që unë me fakte, me dokumente kam bërë kundër Altin Dumanit, mercenarit të organizatës kriminale Skapi i partisë dhe BKH-së, kundër prokurorëve skapistë që i paguajnë qytetarët shqiptarë sa 70 pensionistë në muaj.

Që marrin rrogat më të larta në Ballkan dhe si gjakpirës tregtojnë me dosje krimi gjithë natën dhe ditën me vrasësit dhe trafikantët për t’u marrë ryshfete dhe gjoba.

Për të falsifikuar dokumente dhe për t’i fshehur ato.

Për të prishur provat dhe lehtësuar krimet e tyre.

Zonja Bogdani, nuk të njoh dhe nuk e kam për mbarë që për njerëz që nuk i njoh, të flas.

Por për deklaratën tënde, së pari duhet të siguroj çdo punonjës të institucioneve të Shqipërisë, që bëjnë punën me nder, që bëjnë punën me përkushtim, unë kam vetëm respekt dhe vetëm respekt.

Por ti zonjë, që reagove sot, ti je skllave e Vath Stakës dhe Altin Dumanit.