Berisha “kopjon” strategjinë e Republikanëve, thirrje demokratëve: Bojkotoni televizionet, merrini lajmet në Facebook, Twitter, TikTok

Ish-kryeministri Sali Berisha prej fitores së Donald Trump duket se është frymëzuar nga fushata e suksesshme e Republikanëve duke “vjedhur” disa prej ideve të tyre.

Prej disa ditësh, Berisha është përshtatur me linjën “republikane” në fjalimet e tij, duke përfshirë elementë që flitet se bënë ndryshimin në rezultatin e zgjedhjeve në SHBA, si komuniteti LGBT, rreziku i Luftës së Tretë Botërore, sistemi “i kapur nga Soros” i drejtësisë e të tjera.

 Së fundmi, ish-kryeministri i ka bërë thirrje ndjekësve të tij të braktisin televizionet e mëdha ndërkombëtare (masmediat) dhe të informohen përmes rrjeteve sociale si Facebook, Twitter, Instagram e të tjera.

Kjo ishte një prej thirrjeve kryesore të Donald Trump dhe mbështetësit të tij, Elon Musk gjatë fushatës në SHBA, duke i akuzuar mediat e mëdha për njëanësi teksa i dhanë jetë rrjetit social “X” “Truth Social” dhe një sërë medieve sociale që sot gëlojnë nga dezinformacioni dhe propaganda.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Ndaj miqtë e mi, me lutjen time, të përdorni me të gjitha mënyrat rrjetet sociale, të krijoni portale që janë shpatat e anticensurës.

Ktheni kokën kur dëgjoni lajmet e tyre sepse janë megafonë mashtrimi të Edi Ramës.

Lajmet i merrni nga rrjetet sociale dhe televizionet që i qëndrojnë besnikë të vërtetës.

Nuk ka si në Shqipëri, nuk dallon dot kush është RTSH, kush është Top Channel, Klan apo Vizion Plus.

Të gjitha në garë kush e kush më parë t’i lëpihet qeverisë, të mashtrojë qytetarin.

Cila e cila më shumë të censurojë opozitën, të demonizojë opozitën, të mashtrojë për opozitën.

Miqtë e mi, mos u besoni atyre që u fshehin të vërtetat. Kjo ndodhi në SHBA, por presidenti Trump me flamurin e të vërtetës ngadhënjeu mbi të gjitha mediat kryesore dhe pushtoi mendjet dhe zemrat e qytetarëve amerikanë, realizoi rikthimin më të jashtëzakonshëm me votën e lirë të të gjitha kohërave.

Ndaj dhe sa rrini dhe mbani kokën drejt ekranit me lajmet e medieve kombëtare, uluni dhe shkruani statuse, shkruani lajme në FB, u përcillni të vërtetat njëri-tjetrit në Twitter, Instagram, TikTok.