Greqia ka vendosur kushte ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian; respektimin e të drejtave të minoritetit grek në vendin tonë, duke e lidhur me ngjarjet e eurodeputetit Fredi Beleri, një figurë e errët dhe me të kaluar të dyshimtë, përveç se tre herë i dënuar në Shqipëri dhe Greqi.
Pasi ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgo Gjerapetriti deklaroi kushtin, duket se eurodeputetët grekë kanë marrë tashmë mesazhin e shefit të tyre dhe kanë nisur një fushatë denoncuese ndaj Shqipërisë në Parlamentin Europian.
Një prej tyre, por mesa duket jo i fundit, eurodeputeti grek i Demokracisë së Re, Dimitris Tsiodras ka akuzuar sot në Parlamentin Europian vendin tonë si një shtet që nuk respekton të drejtat e minoritetit grek.
“Merrni për shembull atë që po ndodh në Shqipëri, e cila shpërfill të drejtat njerëzore dhe pronësore të minoritetit etnik grek. Kolegu ynë, Fredi Beleris, u dënua pikërisht sepse mbronte këto të drejta. Këto çështje janë referuar në vendimet e Këshillit, së bashku me domosdoshmërinë që Maqedonia e Veriut të respektojë marrëveshjet e saj dypalëshe.
Traktatet janë dokumente ndërkombëtare, ligjërisht të detyrueshme për palët e përfshira dhe ato nuk mund të modifikohen në mënyrë të njëanshme”, u shpreh ai.
Ai përfundoi duke thënë se “zgjerimi duhet të vazhdojë, por vendet kandidate duhet të demonstrojnë angazhimin e tyre në këtë rrugë në mënyra të prekshme”.