Kryeministri Edi Rama i bën thirrje të rinjve dhe të rejave të aplikojnë për tu bërë pjesë e Forcave të Armatosura.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama njofton se është hapur thirrja dhe se afati për dorëzimin e dokumentacionit është deri në 31 mars 2025.
Prej gati një viti tashmë, Ministria e Mbrojtjes ka ndërmarrë një fushatë për shtimin e numrave të pjesëtarëve të Forcave të Armatosura.
Kriteret e përgjithshme për rekrutimin e ushtarëve/detarëve aktivë:
– të jetë shtetas shqiptar;
– të mos jetë dënuar nga gjykata për vepra penale;
– të mos jetë në ndjekje penale;
– të mos jetë në proces gjykimi penal nga gjykata;
– të ketë figurë të pastër morale;
– të mos ketë probleme me deportimin;
– të mos ketë probleme me drogën dhe alkoolin;
– të mos jetë person i dyshuar, i padëshirueshëm, i evidentuar dhe implikuar nga organet e zbatimit të ligjit për veprimtari të kundraligjshme apo kriminale;
– mosha minimale e rekrutimit është 18 vjeç. Në momentin e titullimit ushtar/detar aktiv, nuk duhet të kenë mbushur moshën 30 vjeç. Përjashtim bëjnë vetëm shtetasit që do të titullohen ushtar/detar aktiv, të cilët do të jenë personel mjekësor i FA, Orkestrës Frymore dhe Orkestrës Simfonike dhe që në momentin e titullimit nuk duhet të kenë mbushur moshën 32 vjeç;
– minimalisht të ketë kryer arsimin 9 – vjeçar brenda ose jashtë vendit;
– të kenë gjatësinë trupore mbi 165 për meshkujt dhe mbi 160 cm për femrat ;
– të jetë shpallur fitues në përfundim të konkurrimit;
– të ketë kryer kontrollin shëndetësor dhe të jetë vlerësuar i aftë për ushtar/detar aktiv nga Komisioni Mjekësor Ushtarak.
– të ketë rezultuar pa probleme gjatë verifikimit të kushtit të sigurisë të kryer nga strukturat përgjegjëse.
Aplikimi në FA për ushtar/detar aktiv bëhet duke ndjekur hapat në faqen e Ministrisë së Brendshme.