Berisha zbulon: Do nis lobimin për heqjen e “non gratës” nga SHBA

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zbuloi sonte se ka nisur një lloj studimi për të nisur “lobimin për çështjen e Non Gratës”.

“Natyrisht, duhet të priten disa rrethana, sa të ndryshohet administrata e re amerikane. Kontakte kam patur dhe kam me administratën e re, por jo për lobimin. Unë po bëj një shqyrtim dhe sigurisht që do t’i drejtohem administratës së re.

Njeriu i cili firmosi, është njeriu që nuk e meritonte kurrë atë post. Ishte i korruptuar dhe besoj që drejtësia amerikane do t’i japë ndëshkimin e merituar. Anthony Blinken u gjet nga Kongresi se ky zotëri ka thënë se Hunter Biden nuk ka patur kurrë laptop. Dhe shtonte se ai laptop ishte shpikje ruse. Doli se laptopi ishte i Hunter Biden. Në vend që të jepte dorëheqjen, Blinken vazhdoi si kryediplomat dhe manipulator, erdhi në Shqipëri një ditë para gjyqit të McGonigal, u tha shqiptarëve se Edi Rama ishte i jashtëzakonshëm si lider dhe nuk takoi asnjë lider nga opozita.

Fakti që Donald Trump e konsideroi armik të brendshëm, nuk e mohoj që është një lehtësim për mua”, tha Berisha në studion e “Debat” në A2 CNN.