Berisha: PD do sjellë kartën e konsumatorit, rritje rroge, ulje çmimi të energjisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp të mbajtur këtë të premte, ka folur lidhur me pensionet në Shqipëri për të cilat kritikon qeverinë pasi nuk janë në nivelin e duhur dhe është nevoja për një ndërhyrje pasi është situatë emergjente.

PD ka deklaruar dhe deklaron se ndërhyrjen në pensionet shqiptare e konsideron një emergjencë, dhe kjo ndërhyrje do bëhet 3 muajt e parë të qeverisjes, atëherë do vendoset minimum jetik. 57% e pensioneve të cilat janë pensione të pjesshme dhe si të tilla nënkuptohet janë nën 170 euro, të gjitha kalojnë në minimum jetik në 200 euro.

Pensionet mbi 200 euro rriten me 20%, kjo ndërhyrje do bëhet me paratë e buxhetit të shtetit, do transferohen në fondin e pensioneve.

Dy janë premtimet kryesore si fillim: Minimumi jetik dhe rritja me 20% të pensioneve tjera mbi 200 euro”, tha Berisha.

Ai akuzon kryeminsitrin Rama se me anë të bonusit elektroral të pensioneve, po përpiqet të blejë vota për fushatë. Ndër të tjera, kreu i PD ka deklaruar se sipas tij, PD do pajis çdo pensionist me kartën e konsumatorit, do sjellë rritje rroge si dhe ulje të çmimit të energjisë.

“Rama po spekulon në kundërshtim me ligjin Kushtetutën me bonusin elektoral të pensionistëve, është një akt i turpshëm që synon të blejë vota në fushatë që nuk e bën asnjë shtetar në botë përveç narkodiktatorit Edi Rama.

Përveç rritjes së pensioneve, çdo pensionist do pajiset me kartën e konsumatorit me të cilin ai do marrë 450 euro në vit, dhe nuk do jetë bonus siç e quan Rama por do jetë rikthim i TVSH-së që ata paguajnë në cdo gjë që blejnë për jetën e tyre duke filluar nga ilaçet, ushqimet. Nuk mund të tolerohet më ky hendek i tmerrshëm që po e copëton shoqërinë shqiptare. Si fillim do jete karta e konsumatorit me 450 euro për çdo qytetar që merr minimumin jetik, për çdo pensionist dhe çdo rrogë ulët.

Do ulet çmimi i energjisë në 7 lekë për kilovat nga 85 që është tani dhe do proporcionohen të gjitha qeratë e banesave sociale në përputhje me rrogën. Do vendoset rroga 500 euro, pra rritje me 25% e rrogës. Këtë mund ta quajmë paketë e sulmit kundër skamjes, me këto skamja zhduket”, tha Kreu i PD, Sali Berisha në një konferencë.