Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për të ndaluar TikTok në Shqipëri, duke e cilësuar atë si akt censure dhe sulm ndaj lirisë së shprehjes.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha paralajmëroi një protestë masive më 15 mars para Kryeministrisë, duke thënë se të rinjtë, nxënësit dhe studentët do të jenë në ballë të luftës kundër censurës.
Çdo fëmijë që kap telefonin, bëhet luftëtar kundër diktaturës në mbrojtje të TikTok. Protesta do të jetë madhështore, një akt kundër censurës së Edi Ramës, i cili po ndjek trashëgiminë e tij famëkeqe,” tha Berisha.
Ai gjithashtu bëri thirrje për bojkot të mësimit, duke kërkuar që nxënësit të mungojnë të paktën orën e parë të hënën, si një akt simbolik kundër ndalimit të platformës.
“Ky nuk është vetëm problemi i TikTok-ut, por i censurës. Një njeri pa asnjë tagër ligjor kërkon ta ndalojë. Prandaj, që nga e hëna, mungoni në mësim! Prindër, mos i dërgoni fëmijët në shkollë, të paktën për orën e parë, në mbrojtje të lirisë së shprehjes,” theksoi ai.
Vendimi i qeverisë për mbylljen e TikTok ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale dhe mes të rinjve, ndërsa opozita e konsideron atë një përpjekje për të kontrolluar informacionin dhe kufizuar liritë digjitale.