Në Apelin e Gjykatës së Posaçme ka përfunduar mbrojtja e avokatëve të kryebashkiakut Erion Veliaj. Mësohet se mbrojtja ka kërkuar dhënien e garancisë pasurore kundrejt lirimit të Veliajt. Seanca në GJKKO po zhvillohet prej 4 orësh seanca për shyrtimin e ankimimit të masës së sigurisë të kryebashkiakut Erion Veliaj. Gjithashtu sipas raportimeve, deri më tani kanë përfunduar mbrojtjen edhe avokatët Ermir Betas dhe Artur Selmanit. Ata kanë kërkuar shfuqizim të masës arrest me burg ose një masë më të butë sigurie, me argumentin se nuk mund të prishë provat.
Në të njëjtën seancë, janë paraqitur për ankimin e masës edhe katër biznesmenët, Elman Abule që ndodhet në arrest me burg dhe tre të tjerët Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi që ndodhen në detyrim paraqitjeje. Bëhet me dije se aktualisht avokatja e Abules, Romina Zano po bën mbrotjen para gjykatës. Në ambientet e GJKKO u paraqit para nisjes së seancës dhe avokati amerikan joshua Roberts, i cili po këshillon kryebashkiakun Veliaj, por nuk u lejua të futej në sallën e gjyqit.
Në përfundim të mbrojtjes, Prokuroria e Posaçme do japë qëndrimin e saj sa i përket kërkesave të avokatëve që kanë ankimuar masën. Në fund të seancës që pritet të zgjasë disa orë, gjyqtari Engert Pëllumbi do tërhiqet në dhomë këshillimi për të shpallur më pas vendimin, nëse do lërë në fuqi vendimin e datës 12 shkurt të GJKKO apo në rast se do ndryshojë vendimin e shkallës së parë.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.
Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.