NDODHI DHE KJO/ Trofeu i Champions League vidhet në Lisbonë

Një ngjarje e pazakontë dhe befasuese ka tronditur Lisbonën fundjavën e kaluar, ndonëse është bërë publike vetëm në orët e fundit. Teksa qyteti festonte titullin kampion të fituar nga Sporting Lisbona në “Primeira Liga”, një incident i papritur e ktheu atmosferën festive në një çështje serioze, që rrezikoi të merrte përmasa ndërkombëtare.

Sipas burimeve të shumta në median portugeze, trofeu zyrtar i “UEFA Women’s Champions League”, i cili ndodhej në stadiumin “José Alvalade” si pjesë e promovimit të finales së madhe të 25 majit, është vjedhur gjatë festimeve masive të tifozëve të Sportingut.

Trofeu, që pritej të ngritej nga një prej dy superfuqive të futbollit europian të femrave, Barcelona apo Arsenal, u zhduk në mënyrë misterioze nga hapësira e ekspozimit publik në ambientet e stadiumit.

Finalja e Champions League për femra është ngjarja më e rëndësishme e futbollit të klubeve në Europë për këtë kategori, dhe për herë të parë do të zhvillohet në Lisbonë, një vlerësim i madh për Portugalinë si organizatore. Në prag të këtij eventi, UEFA e kishte vendosur trofeun në një zonë të hapur për publikun, për të nxitur interesin dhe rritur vizibilitetin e ngjarjes.

Incidenti ndodhi të dielën, kur mijëra tifozë të Sporting Lisbona mbushën rrugët e kryeqytetit për të festuar titullin e 20-të kampion në historinë e klubit. Në kulmin e festimeve, me hyrje të pakontrolluara dhe turmë të dendur, kupa u zhduk në mënyrë misterioze, duke shkaktuar shqetësim në radhët e organizatorëve dhe UEFA-s, që u vu në dijeni menjëherë pas ngjarjes.

Policia portugeze ndërhyri shpejt, duke nisur një hetim intensiv për të zbardhur rrethanat e zhdukjes. Pas një operacioni që zgjati disa orë, autoritetet arritën të gjejnë trofeun dhe ta rikuperojnë pa dëmtime. Megjithatë, mbetet ende mister se si kupa arriti të zhdukej në mënyrë aq të lehtë nga një vend që supozohej të ishte i siguruar. Asnjë person nuk është arrestuar deri më tani, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve të mundshëm vazhdojnë.

Ky incident ka shkaktuar nervozizëm në radhët e UEFA-s, që po monitoron nga afër situatën dhe ka kërkuar rishikim të protokolleve të sigurisë për ditët në vijim. Finalja e 25 majit pritet të jetë një spektakël i madh sportiv mes Barcelonës (për femra), kampione në fuqi e Europës, dhe Arsenalit, një nga ekipet më të suksesshme në Angli.

UEFA nuk ka dhënë ende një koment zyrtar mbi ngjarjen, por burime pranë organizatës e kanë cilësuar incidentin si “shqetësues” dhe kanë kërkuar rritje të menjëhershme të masave të sigurisë në Lisbonë.

Ngjarja, ndonëse e përfunduar me rikuperimin e trofeut, tregon se edhe në ditët më festive të futbollit, mungesa e organizimit dhe kontrollit mund ta kthejë një moment krenarie në problem diplomatik me përmasa europiane.