Pamje të rralla: Shfaqet balena pranë gadishullit të Karaburunit

Një pamje e rrallë është regjistruar në ujërat shqiptare, pranë gadishullit të Karaburunit, ku një balenë është filmuar duke notuar qetësisht. Videoja u publikua në rrjetet sociale nga arkitekti dhe ambientalisti Artan Shkreli, i cili ndau momentin emocionues me ndjekësit e tij.

“BALENË … sot në drekë, në Meksokanal, pranë Karaburunit. Nga helikopteri mund t’i jepje dorë”, shkruan Shkreli në postim, shoqëruar me pamjet ajrore ku gjitari detar shihet qartë në ujërat e kristalta të Jonit.

Kjo është hera e parë pas pesë vitesh që një balenë raportohet të jetë parë në këtë zonë. Sipas të dhënave, hera e fundit kur balenat u vunë re në Karaburun ishte në vitin 2020, kur një grup u filmua nga një peshkatar duke lëvizur pranë brigjeve.

Balenat janë vizitorë të rrallë të detit shqiptar, dhe prania e tyre ngjall interes dhe shqetësim njëkohësisht për ekosistemin detar, që është nën presion të vazhdueshëm nga aktiviteti njerëzor, ndotja dhe ndryshimet klimatike.

Pamje të tilla janë një sinjal pozitiv për biodiversitetin në zonat detare shqiptare dhe një kujtesë e rëndësishme për nevojën e mbrojtjes së këtyre habitateve të ndjeshme.