Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, është strehuar në një bunker të nëndheshëm në zonën Lavizan të veri-lindjes së Teheranit, vetëm disa orë pas sulmeve ajrore të Izraelit mbi kryeqytetin iranian, që nisën të premten në mëngjes. Lajmi raportohet nga “Iran International”, duke cituar dy burime të besueshme brenda vendit.
Sipas të njëjtave burime, me Khamenein ndodhen të gjithë anëtarët e familjes së tij, përfshirë edhe djalin e tij, Mojtaba Khamenei. Ky është i njëjti bunker në të cilin ai dhe familja u strehuan edhe gjatë operacioneve ushtarake të Iranit ndaj Izraelit në vitin 2024, me emrin “Premtimi i Vërtetë 1” dhe “Premtimi i Vërtetë 2”.
Të dielën, për herë të parë, Izraeli kreu një sulm ajror në qytetin iranian të Mashhadit, i cili ndodhet mbi 2.300 kilometra larg nga Izraeli. Një burim diplomatik nga Lindja e Mesme tha për “Iran International” se sulmi ishte një paralajmërim i drejtpërdrejtë ndaj Khameneit se nuk është më i sigurt askund brenda territorit iranian.
Sipas të njëjtës burim diplomatik, Izraeli kishte mundësinë të eliminonte udhëheqësin suprem që në natën e parë të ofensivës, por vendosi të mos e bënte, duke i dhënë atij edhe një “mundësi të fundit” për t’u tërhequr dhe për të shpallur çmontimin e plotë të programit bërthamor të Iranit.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, thuhet se i kishte dhënë Khameneit një afat prej dy muajsh për të ndërprerë programin e pasurimit të uraniumit, por udhëheqësi iranian kishte injoruar paralajmërimet nga Uashingtoni dhe Tel Avivi.