Lufta Izrael-Iran kthehet në sfidë energjitike. Tronditet tregu global i naftës. Luhatje të forta në çmime

Konflikti mes Izraelit dhe Iranit po përshkallëzohet në një betejë me implikime të mëdha strategjike dhe ekonomike, duke e kthyer situatën në një luftë energjitike me pasoja globale. Në fokus janë sulmet e fundit në impiantet e naftës dhe gazit të Iranit në Bandar Abbas dhe South Pars, që kanë tronditur tregjet ndërkombëtare të hidrokarbureve dhe kanë ngritur shqetësime për destabilizimin e furnizimeve globale.

Kërcënimet e Teheranit për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit – një nga nyjet më të rëndësishme detare për transportin e naftës që kalon rreth 30% e tregtisë globale të naftës – kanë alarmuar komunitetin ndërkombëtar dhe tregjet e energjisë. Një bllokadë e tillë do të godiste eksportuesit kryesorë në Lindjen e Mesme, përfshirë Irakun, Kuvajtin, Arabinë Saudite dhe Katarin, duke krijuar një krizë të rëndë në furnizimet me energji.

Në mënyrë paradoksale, një rritje e çmimit të naftës do të shërbente si një ‘frymëmarrje ekonomike’ për Rusinë, e cila varet në masë të madhe nga të ardhurat nga eksporti i hidrokarbureve. Për Moskën, një destabilizim në Lindjen e Mesme mund të përkthehet në një avantazh strategjik në tregjet globale të energjisë.

Situata komplikohet edhe nga aktivitetet e Huthëve në Jemen, një grup i mbështetur nga Irani, që ka kryer sulme ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, duke rritur rrezikun për trazira më të gjera në rrugët kryesore të transportit detar.

Çmimet e naftës vazhdojnë të rriten në bursat aziatike, duke ndjekur rritjen prej 13% në javën e fundit. Kjo tendencë mund të nxisë një valë inflacioni globale, që do të vështirësonte politikat monetare të Rezervës Federale të SHBA-së, duke e bërë më të vështirë uljen e normave të interesit në perihten afatmesme.

Në Evropë, tregjet financiare shfaqin kujdes të shtuar, ndërsa investitorët ndjekin me vëmendje çdo zhvillim në përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në konflikt. Presidenti Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjes amerikane, çka i shton më shumë tensione në rajon.

Në këtë situatë të paqëndrueshme, çdo përshkallëzim i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit mund të ketë pasoja të rënda për ekonominë globale dhe sigurinë energjitike, duke theksuar rëndësinë e diplomacisë dhe menaxhimit të krizave në një rajon të rëndësishëm për tregjet botërore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.