“Kam 35 çipa në trup”, 2 denoncime të pazakonta në “Tak Fak”: Na përndjekin, mikroçipat i kemi në trup e dhëmballë, ja arsyet… (Video)

Dy denoncime të pazakonta kanë mbërritur në redaksinë e emisionit “Tak Fak”. Dy qytetarë, njëri që banon prej vitesh në Gjermani dhe një tjetër që jeton në Shqipëri, mendojnë se kanë rënë pre e një përndjekje, shumë të ndryshme nga ajo klasike, siç bëhej dikur këmba këmbës. Ata thonë se përndjekja bëhet me anë të mikroçipave që u janë vendosur në trup, por nuk dihet se nga kush.

Madje as ata vetë nuk e dine, ashtu siç nuk dinë qëllimin përse janë ata të përzgjedhurit.

“Jam Enver Smira dhe dua të denoncoj një rast që më ka ndodhur. Sipas shenjave mendoj se kam 35 çipa në trup. Janë dy lloje, më së shumti janë të holla e të gjata dhe në formën e orizit të tjerat, futen në një gjilpërë në lëkurën tënde dhe këto më japin rrezik, të mpihet trupi nga rrezet, nuk ke fuqi”, thotë denoncuesi.

Ndërsa një tjetër denoncuese e intervistuar nga gazetari i “Tak Fak”, Marsel Rupi, thotë se e përgjojnë dhe në fund të 2019 e ndjente se monitorohej.

“Më kanë vendosur përgjues në dhëmballë. Kanë qëllim të më kontrollojnë se ku jam. Nuk ma marrin përsipër dentistët ta heqin mikroçipin. Jam e sigurtë që shumë njerëz e dinë por nuk flasin. Dyshoj te individë, por jo te institucione. Dhe kjo është shumë shqetësuese”, thotë gruaja për “Tak Fak”.