Autoritetet kanë goditur një tjetër rast të kultivimit të lëndëve narkotike. Në pranga ka rënë Jonuz Roçi, i cili kishte ngritur një parlcelë që shërbente për kultivimin e lëndës narkotike Cannabis Sativa.
Parcela ishte vendosur në fshatin Spathar të Librazhdit ku të mbjella ishin 150 fidanë narkotikë. Procedim penal është nisur dhe për kryeplakun e fshatit, shtetasin N. Xh., i akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Njoftimi i policisë:
Librazhd/Kontrolle intensive në zbatim të planit operacional “Koordinata”, për evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.
Vihet në pranga 1 shtetas që dyshohet se kishte kultivuar në fshatin Spathar, 150 fidanë narkotikë.
Procedohet penalisht kryetari i këtij fshati, për shpërdorim të detyrës.
Asgjësohen fidanët, nëpërmjet djegies.
Si rezultat i kontrolleve me shërbime të shtuara dhe me dronë, si dhe i hetimeve me metoda proaktive, që po kryhen në kuadër të planit operacional “Koordinata”, me objektiv goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd konstatuan dhe goditën një rast në këtë fushë.
Për rastin u vu në pranga shtetasi J. R., pasi dyshohet se kishte kultivuar në fshatin Spathar, 150 fidanë narkotikë Cannabis Sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale, nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Spathar, shtetasin N. Xh..
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e rrethit Librazhd.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.