Lufta Izrael-Iran, ministri Igli Hasani i prerë: Shqipëria mbështet politikisht Izraelin dhe të drejtën për vetëmbrojtje

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë një lidhje direkte për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për qëndrimin e Shqipërisë në konfliktin Izrael-Iran dhe përshkallëzimin ushtarak të këtij konflikti në ditët e fundit.

Hasani u shpreh se Shqipëria mbështet qartazi Izraelin dhe të drejtën e këtij vendi për t’u vetëmbrojtur, duke e quajtur Iranin një vend ku regjimi i Ajatollahëve shkel angazhimet për mospërhapjen e armëve bërthamore.

“Shqipëria është qartazi në mbështetje politike të Izraelit, të të gjithë vendeve që mendojnë se regjimi i Ajatollahëve nuk duhet të rrisë kapacitete bërthamore dhe duhet të respektojë angazhimet e marra në mospërhapjen e armëve bërthamore. Është regjim që i thyen këto angazhime. Ne e dënojmë fuqimisht mënyrën se si regjimi i Ajatollahëve po vepron. Ne mbështesim shtetin e Izraelit në të drejtën për tu mbrojtur.

Ne ushtrojmë presionin politik të gjithë sëbashku ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran dhe padyshim këto qëndrime do të vijojnë të jenë konseguente në raport me atë që diplomatët tanë bëjnë”, deklaroi Hasani.

I pyetur nga Ylli Rakipi lidhur me konfliktin tjetër në Gaza dhe anën tjetër të medaljes, ku një numër i konsiderueshëm civilësh, përfshirë fëmijë, janë vrarë, Hasani dha një përgjigje të shkurtër duke deklaruar se Shqipëria është një vend paqësor që mbështet paqen.

“Shqipëria gjithmonë ka treguar që është vend paqësor dhe mbështet paqen. Shqipëria ka treguar se e ka mbështetur zgjidhjen e dy shteteve, në konfliktin e Izraelit me palestinezët. Shpresojmë padyshim që këto realitete të mbarojnë sa më shpejt”, tha Hasani.

Lidhur me ndonjë rrezik të mundshëm që mund ti kanoset Shqipërisë nga Irani, i cili në të shkuarën ka kryer sulem kibernetike ndaj vendit tonë, por edhe në kontekstin kur ne strehojmë opozitën e MEK, Hasani dha këtë përgjigje:

“Ne jemi vend demokratik. Respektojmë të gjithë anëtarët e kombeve të bashkuara. Kemi treguar se jemi në gjendje të strehojmë pjesë të opozitave të ndryshme, vende që jetojnë në diktaturë. Do të vijojmë të përcjellim vlerat demokratike. Jemi paqësor dhe nuk synojmë askënd. Kemi të bëjmë me realitete që shpresojmë t’i kemi të tilla. Kemi qenë shënjestër e sulmeve kibernetike nga regjimi i Ajatollahëve por kemi qenë në gjendje që në bashkëpunim me partnerët tanë, ti kthejmë mbrapsht këto sulme dhe të mbrojmë infrastrukturën”, deklaroi Hasani.

Lidhur me shtetas shqiptarë që mund të gjenden në dy vendet ku po zhvillohen luftime, Hasani tha se janë organizuar korridore për nxjerrjen e shqiptarëve nga Izraeli, ndërsa në iran nuk ka ende ndonjë kërkesë nga qytetarë shqiptarë.

“Ne kemi ndërmarrë një operacion kthimi të 5 shtetasëve shqiptarë nga Izraeli. Kemi krijuar korridor tokësor që i ka nxjerrë nga Tel Aviv drejt Egjiptit dhe kemi mundësuar fluturim për ti sjellë në Greqi dhe më pas në Shqipëri. Janë 12 shqiptarë të tjerë në kontakt me ambasadën tonë, që në varësi të kushteve dhe situatës kërkojnë në momente të caktuara të largohen pastaj ndoshta kërkojnë të qëndrojnë. Kemi krijuar korridor të dytë, jemi të gatshëm të ndihmojnë në zhvendosjen e disave prej tyre. Janë 5 që do të largohen në orët në vazhdim. Kemi vendosur kontakte telefonike dhe infrastrukturën tonë.

Në Iran, ne nuk kemi asnjë kontakt, asnjë kërkesë të ndonjë shtetasi shqiptar që kërkon evakuim. Ne nuk kemi marrëdhënie diplomatike me Iranin, por nuk kemi ndonjë person që të ketë kërkuar ndihmë në mënyra të ndryshme. Nëse do të kemi një kërkesë do të shfrytëzojmë të gjithë mundësitë, me miq dhe partnerë që janë prezentë”, deklaroi ministri.