Pse Izraeli dhe Irani janë armiq të përbetuar?

Konflikti aktual mes Izraelit dhe Iranit është kulmimi i një armiqësie që ka zgjatur për dekada, por marrëdhënia mes dy vendeve nuk ka qenë gjithmonë e tillë. Para revolucionit islamik të vitit 1979, Irani dhe Izraeli ishin aleatë të ngushtë, me bashkëpunim të thellë ekonomik, ushtarak dhe diplomatik.

Gjithçka ndryshoi në vitin 1979, kur revolucioni islamik rrëzoi monarkinë e Shahut dhe solli në pushtet një regjim të ri teokratik të udhëhequr nga Ajatollah Ruhollah Khomeini. Ky regjim kishte një ideologji të thellësisht anti-perëndimore dhe anti-Izrael, duke refuzuar të drejtën e Izraelit për të ekzistuar. Khomeini e përshkroi Izraelin si një simbol të imperializmit dhe shtypjes perëndimore në Lindjen e Mesme.

Pas ardhjes në pushtet të regjimit të ri, Irani ndërpreu çdo marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe filloi të mbështeste lëvizjet palestineze, duke u kthyer në një sponsor kryesor të grupeve të armatosura anti-Izrael, përfshirë Hezbollahun në Liban, Hamasin në Rripin e Gazës dhe rebelët Huthi në Jemen.

Nga ana tjetër, Izraeli e ka konsideruar Iranin si sponsorin kryesor të terrorizmit global. Për dekada, Tel Avivi ka bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë për të vendosur sanksione ekonomike dhe për të ushtruar presion diplomatik mbi Teheranin, sidomos në lidhje me programin e tij bërthamor dhe aktivitetet ushtarake në rajon.

Përtej presionit diplomatik, Izraeli ka zhvilluar për vite me radhë një “luftë në hije” kundër Iranit, përfshirë operacione të fshehta, sulme kibernetike, sabotime dhe eliminime të figurave kyçe të lidhura me programin bërthamor iranian.

Këto tensione të vazhdueshme kanë çuar drejt përshkallëzimit të dhunës që po ndodh aktualisht mes dy shteteve, duke i dhënë fund një konflikti të heshtur dhe duke e shndërruar atë në një përplasje të hapur, me pasoja të mëdha për stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.//BBC