Si të ruani freskinë në shtëpi gjatë vapës me “metodën e njeriut të shpellës”

Kur vjen vera, ditët me diell dhe lojërat në natyrë na japin një ndjesi gëzimi. Por sapo temperaturat nisin të rriten ndjeshëm, kënaqësia shndërrohet në shqetësim dhe netët bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u përballuar.

Në përpjekje për të freskuar shtëpinë, shumë vetë nxitojnë të hapin dritaret dhe dyert, duke menduar se kështu do të ftohet ambienti i brendshëm. Në të vërtetë, kjo është një nga gjërat më të gabuara që mund të bëni gjatë një vale të nxehti.

Çfarë është “metoda e njeriut të shpellës”?

Qasja më e efektshme (the caveman method) për të mbajtur shtëpinë të freskët gjatë vapës është të imitojmë kushtet e një shpelle: errësirë, qetësi dhe izolim nga jashtë. Shpella mbetet e freskët sepse nuk lejon hyrjen e dritës së diellit dhe është e mbyllur ndaj ajrit të nxehtë nga jashtë.

I njëjti parim vlen edhe për shtëpinë tuaj: mbani të mbyllura dritaret, dyert dhe grilat gjatë gjithë ditës. Mos u mashtroni nga ideja se një zonë në hije mund të sjellë freski; edhe aty, ajri që hyn është i nxehtë dhe vetëm përkeqëson temperaturën e brendshme.

Në vend që të kërkoni një fllad të lehtë, duhet të mendoni për mënyra për të bllokuar qarkullimin e ajrit nga jashtë. Edhe fikja e dritave ndihmon, pasi çdo burim artificial drite çliron nxehtësi.

Është e njëjta logjikë si me kondicionerin: nëse do ta kishit ndezur, nuk do të hapnit asgjë nga frika se do të dilte ajri i freskët. E kundërta ndodh kur s’keni kondicioner, por hapni gjithçka — në atë rast, lejoni që të hyjë ajri i nxehtë dhe i padëshiruar.

Zgjidhje afatgjata

Përtej masave të menjëhershme që mund të zbatohen gjatë valëve të të nxehtit, ka edhe mënyra më të qëndrueshme për të përmirësuar temperaturën në shtëpi.

Ndër to përfshihen vendosja e filmave të errët në xhama, që reflektojnë rrezet e diellit dhe ulin nxehtësinë që futet brenda. Një tjetër zgjidhje praktike janë perdet e integruara mes paneleve të xhamit, që mund të shtohen pa qenë nevoja të ndryshohen plotësisht dritaret ekzistuese.

Këto sisteme jo vetëm kursejnë hapësirë dhe zgjasin më shumë se perdet e jashtme, por edhe e bëjnë kontrollin e temperaturës më efikas. Xhamat modernë me veti reflektuese dhe tendat mbrojtëse për dritaret dhe dyert janë gjithashtu mjete të dobishme për të mbajtur diellin larg.

Në vend që të presim me ankth valën tjetër të të nxehtit, është më mirë të marrim masa që tani. Dhe ndonjëherë, për të jetuar më mirë në kushte ekstreme, mund të na ndihmojë të mendojmë si njerëzit e shpellave: të izoluar, në errësirë dhe të mbrojtur nga dielli.