Maska, paruke e armë/ Zbulohet si shpëtoi nga dënimi për armëmbajtje Ragip Gila, çfarë iu gjetën 2 vite më parë

Dy vite më parë, në fillim të dhjetorit 2023, Ragip Gila u arrestua në Shkodër pasi iu gjetën në banesë një sërë sendesh të kundraligjshme.

Bëhet fjalë për maska, paruke, jelekë antiplumb, kokore metalike si të policisë, armë gjahu, municion luftarak dhe sende të tjera që dyshohet se do të përdoreshin nga grupet kriminale.

Ragip Gilës iu gjetën gjithashtu edhe 1 kavanoz me 13 pako kanabis. Droga dyshohet se shitej në afërsi të shkollave, lokaleve dhe zona të ndryshme të Shkodrës.

Por teksa policia e arrestoi autorin e masakrës së sotme në Shkodër, Ragip Gila kreu vetëm më shumë se 1 vit burg dhe doli nga qelia në mars të vitit 2025.

Report Tv publikoi gjatë ditës së sotme vendimin e gjyqtarit të Shkodrës, Albert Keraj, që në 4 mars të këtij viti i hapi derën e qelisë 29-vjeçarit Gila, duke i caktuar shërbim prove për 5 vite me kusht që të mos kryente asnjë krim.

29-vjeçari Ragip Gila u dënua fillimisht nga Gjykata e Shkodrës me 5 vite burgim për prodhim dhe shitje droge. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 3.4 vite burg.

Gila qëndroi në qeli më shumë se 1 vit, deri në sa në 4 mars të këtij viti, Ragip Gila u lirua përfundimisht. Në zbatim të nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, Ragip Gila u lirua me kusht nga Gjykata e Shkodrës. Dënimi i tij u pezullua dhe për 5 vite do të ishte në shërbim prove. Por teksa Ragip Gila u dënua vetëm për drogën, ai ia hodhi paq për armët që iu gjetën dhe sendet e tjera.

29-vjeçari u akuzuar edhe për veprat “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, por këto akuza u pushuan për shkak se prekeshin nga amnistia vjetore.

6 muaj më vonë pas lirimit të tij me kusht dhe konvertimit të pjesës së mbetur të dënimit në shërbim prove, sot Ragip Gila vrau 2 persona në Shkodër dhe plagosi 2 të tjerë.

Të vrarë mbetën Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi). Ndërsa u plagosën Erogen Brajoviç alias Erogen Vaso, dhe kamerierja 25-vjeçare e lokalit ku ndodhi masakra. Vetë autori u arrestua pak minuta pas ngjarjes. Në polici ai tha se objektiv për të vrarë kishte Erogen Brajoviç alias Erogen Vaso, pjesë e grupit të Bajrave.