Erogen Vaso truri financiar i Bajrave, hotele e restorante, disa nga armiqtë e deklaruar në Sky Ecc, Albert Keraj gjyqtari që liroi autorin e masakrës

Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç, 43 vjeç, besohet se ishte shënjestra e atentatit të sotëm në Shkodër, ku mbeti i plagosur, ndërsa humbën jetë shoku i tij Armando Pali dhe truproja Liridon Kraja. E plagosur mbeti kamerierja 25-vjeçare Meri Kaceri. Autori i masakrës, 29-vjeçari Gagip Gila, dyshohet se është kontraktuar nga një prej grupeve kundërshtare të Bajrave.

Tre besohet se janë arsyet se pse kundështarët e Bajrave kanë piketuar pikërisht Erogen Vason alias Erogen Brajoviç me qëllim për t’a eliminuar.

Së pari, Erogen Bajri (Bajroviç/Vaso) konsiderohet si truri financiar i Bajrave. Erogen Bajri prezantohej si biznesmen dhe pretendonte për lidhje politike në qarqe të larta. Bajri njihet si pronar faktik i disa bizneseve me vlerë miliona euro në Shkodër, si hotel, bare dhe restorante, në emra të njerëzve të besuar. Ka dyshime se bizneset janë produkt i aktivitetit kriminal të grupit Bajri. Duke shënjestruar Erogenin, rivalët kanë dashur të godasin edhe nga ana ekonomike Bajrat.

Së dyti, Erogen Bajri është vëllai i Denis Bajrit, pjesë grupit, i cili sipas SPAK, në gusht të vitit 2020, vrau Gjin Ndojin allias Gjin Boriçin, në Vaun e Dejës, me urdhër të Behar Bajrit. Vrasja ishte porosi e Vis Martinaj, i cili në këmbim kishte marrë përsipër të vriste Kleant Musabelliun, pasi kishte plagosur Pëllumb Gjokën. Grupi rival mund t’a ketë shënjestruar Erogen Bajrin për t’u hakmarrë.

Së treti, duke u paraqitur si biznesmen dhe faktor me lidhje politike, Erogen Bajri shfaqej dhe ishte prezent në mjedise publike, ndonëse me truprojë. Si i tillë, Erogen Bajri mund të jetë konsideruar nga kundështarët e Bajrave si objekt i mundshëm për t’u goditur, pasi figurat kryesore të grupit ndodhen në burg. Por, edhe kur ishin jashtë, ata zbatonin një protokoll të rreptë sigurie, me makina të blinduara, mungesë ekspozimi etj.

Behar Bajri, lista e zezë me armiqtë

Se kush fshihet pas masakrës së sotme, kjo i takon drejtësisë. Por, në bisedat me shokët e tij në Sky Ecc, Behar Bajri kishte një listë me njerëzit që duhet t’i hiqte qafet, të cilët i konsideronte kundërsharë dhe të rrezikshëm.

Referuar dosjeve të SPAK-ut, në krye të listës që Behar Bajri planifikonte dhe shprehte dëshirën për t’i eliminuar qëndronin; Ibrahim Lici, i njohur si ‘Fantazma’ dhe Dorian Duli, i njohur si ‘dora e vdekjes’, i cili përshkruhej si një personazh tepër i rrezikshëm, që qëllonte fatalisht deri në 300 m. (Në tetor 2024, në maskrën e Dobraçit, u vra edhe Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit).

Teksa për Braçen shfaqje herë pas herë njëfarë nënvlerësimi, Behar Bajri ishte fiksuar për të hequr sa më parë qafet Dor Dulin, një personazh me precedentë penalë, por siç duket shumë i rrezikshëm nëse dikush i afrohej.

Behar Bajri kishte shprehur dëshirën për të eliminuar edhe Genc Tafilin, të cilin e shihte si një person që rrinte me armiqtë e tij, përfshirë edhe Bardhok Pllanaj, i vrarë në prill 2021 në Shkodër. Vrasja e Pllanajt ka mbetur pa autor. Palët janë prishur për disa pika bastesh. Pikat e Tafilit administroheshin nga Dor Duli.

Lulzim Kulla, një personazh me precedentë penalë dhe objekt antentash, konsiderohet kundërshtar nga Pëllumb Gjoka, por edhe nga Behar Bajri. Lul Kulla është dhëndër i Licëve. Kulla ishte objekt i një atentati mafioz në janar 2018. Për atentatin ishte kontraktuar një grup nga Elbasani; Endri Çopja, Argel Lulaj dhe Serxho Teta, që besohet se ishin ushtarë. Ka dyshime se në atentat është implikuar edhe Boran Bërçana, i ekzekutuar më pas bashkë me bashkëshorten.

Nga përgjimet në dosjen Metamorfoza del që Lul Kulla, i cili i mbijetoi atentatit, konsiderohet si kundërshtar nga Pëllumb Gjoka dhe Bajrat. Në 9 korrik 2020, Behar Bajri informon Pëllumb Gjokën se Luk Kulla ka shok Gëzim Çelën në Patok, dhe se Çela ka lidhje me Bardhokun, duke iu referuar Bardhok Pllanajt, i vrarë më pas. Nga ana tjetër, Pëllumb Gjoka e informon Behar Bajrin të mos bënte lëvizje dhe të ruhej pasi kishte informacion se në Shkodër po lëvizte Lul Kulla.

Ndërkaq, duke urdhëruar vrasjen e shokut, Gjin Ndoj, Behar Bajri ka hapur një front të ri armiqësie edhe me familjen e të ndjerit.

Behar Bajru ka qenë i dyshuar për vrasjen e të fejuarës së tij, Fabjola Bajri, 16-vjeçe më 20 qershor 2002, me të njëjtën pistoletë që kishte vrarë shtetasin Arben Tuzi. Ngjarja u raportua si vetëvrasje atëkohë. E reja, pata se të humbiste jetën me dy plumba, i kishte telefonuar për ditë me radhë policisë që t’a shpëtonin, ndërsa familja e saj u kërcënua dhe u detyrua të largohej nga Shkodra.

Gjithashtu Behar është dyshuar edhe për vjedhje më 14 janar 1999 në Dobraç, si dhe dy vrasje në atë kohë në lagjen “Vojo Kushi”, ku u ekzekutuan vëlelzërit Osman e Artur Alibali, por që përsëri munguan provat.

Behar Bajri ka vrarë në Dobraç edhe Petrit Demirin, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër, për të cilën u dënua me vetëm 2 vite burg. Bajri është akuzuar edhe për përdhunimin e dy vajzave të mitura në 2006, por sërish ia ka hedhur drejtësisë.

Albert Keraj, gjyqtari që liroi autorin e masakrës së sotme

Masakra e sotme në Shkodër mban vulën e drejrësisë së krimbur. Ragip Gila rezulton një emër i njohur për drejtësinë shqiptare pasi në muajin mars ai kishte lënë qelinë. Albert Keraj është gjyqtari që liroi Ragip Gilën më 4 mars 2025.

Gila nuk ka vuajtur as 1.5 vite të plota dënim për një vepër penale që parashikohej 5-15 vite. Në bazë të vendimit, Gila u deklarua fajtor dhe fillimisht u dënua me 5 vite burg, por duke u bazuar në nenin 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi iu ul me një të tretën, duke u përcaktuar në 3 vite e 4 muaj burgim.

Megjithatë, në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, gjykata urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vendosur të pandehurin në një periudhë prove prej 5 vitesh. Gjatë kësaj kohe, sipas vendimit të marrë nga gjykatësi Keraj, i riu ishte i detyruar që të mos kryejë asnjë vepër penale dhe të mbante kontakte të rregullat me Degën e Shërbimit të Provës në Shkodër.

Gjykata gjithashtu urdhëroi që Gila të mos zotërojë dhe të mos përdorë armë zjarri pa leje për një periudhë prej 1 viti. Po ashtu, u vendos shuarja e masës së sigurisë së arrestit me burg, duke u urdhëruar lirimi i menjëhershëm i të pandehurit nga qelia, nëse nuk mbahet për ndonjë arsye tjetër.