Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, tha sonte se arma e përdorur nga Ragip Gilaj, në masakrën me 2 të vrarë dhe 2 të plagosur në Shkodër, është një armë e prodhimit izraelit me shpejtësi zjarri shumë të madhe, e përdorur nga profesionistë.
Karamuço tregoi se kjo armë, që hedh 900 plumba në minutë, është përdorur në vitet ‘80 nga shërbimet sekrete amerikane në ruajtjen e personaliteteve.
“Një armë e tillë, një Uzi GAL e prodhimit izraelit, ka mbërritur edhe në Shqipëri. Kjo armë u përket vrasësve profesionistë në të gjithë rajonin – në Serbi, Mal të Zi – Bosnjë dhe tani është rasti i parë që shfaqet në Shqipëri.
Përdoret me kalibër të vogël, nuk kërkon silenciator, merr formën e një kërpudhe në distancë të afërt dhe është fatale. Ka më shumë shpejtësi se sa fuqi zjarri, nuk dëgjohet shumë, vjen si një zhurmë e mbytur. Janë karakteristikat e një arme për një profesionist, që është përzgjedhur për të mbyllur punën sa më shpejt. Hedh 900 plumba në minutë. Është përdorur në vitet ’80 nga shërbimet sekrete amerikane për ruajtjen e personaliteteve. Janë të gjitha këto pjesë të saj që na bëjnë të habitemi se si është e mundur që kjo armë përfundon në duart e këtyre grupeve që janë fuqizuar dhe e kanë xhepin për të pasur në posedim të tilla armë edhe për vrasje me pagesë. Mendoj se kjo është një vrasje me pagesë”, tha Karamuço në emisionin Now në Euronews Albania.