Një abat, një murg dhe pesë persona të tjerë janë arrestuar në Greqi, në tentativë për të shitur sende antike, përfshirë edhe një libër të shenjtë që sipas mediave greke i përkiste një heroi të 1821, revolucionit anti-osman në vendin fqinj.
Autoritetet greke kanë sekuestruar librin e vitit 1700 si dhe 17 ikona mesjetare, monedha të vjetra dhe sende të tjera antike që sipas autoriteteve do të shiteshin në treg të zi për një shumë prej 200 mijë eurosh.
Abati i manastirit të Shpellës së Madhe në kërkimfaljen e tij pretendoi se objektet “u gjetën ligjërisht” në posedim të tij. “Ato vijnë nga një koleksion që unë e kisha harruar ta deklaroja. Nuk ka asnjë çështje blerjeje dhe shitjeje”, thuhet se tha ai.
Por edhe ndihmësi i abatit i akuzuar, pretendoi se “objektet u gjetën brenda manastirit në zona private dhe nuk ishin pronë e kishës, por sende personale që vinin nga donacione familjare dhe kishin vlerë sentimentale. Çdo mosdeklarim dhe mosregjistrim i tyre nuk ishte bërë me mashtrim”, u shpreh ai.
Të akuzuarit në çështjen e trafikimit të sendeve antike u dërguan në burg të enjten në mbrëmje, me kërkesë e hetuesit.
Çështja filloi të zbardhej pas një telefonate nga një informator anonim, i cili u prezantua si “Thanasis”. Më 29 korrik, ai informoi policinë se katër persona kishin ndërmend t’i shisnin antikitete një blerësi gjerman.
Referenca e abatit për një statujë bronzi të perëndeshës Artemis i nxiti autoritetet të veprojnë. Siç tha ai, ai e zotëronte atë dhe kishte ndërmend ta shiste për 10 milionë euro, megjithatë nuk mundi ta tregonte pasi ishte varrosur në një fermë. Bazuar në këtë informacion, autoritetet po “lërojnë” fushat përreth manastirit, duke kërkuar gjetjen e vlefshme.
Galeria fotografike

