Avokati Saimir Visha kërkon dorëheqjen e ministres së Brendshme Albana Koçiu, pas deklaratës që bëri kjo e fundit ditën e djeshme për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.
Në një intervistë për “ReportTv”, avokati Visha theksoi se sigurinë dhe rendin në gjykata duhet ta garantojë Policia e Shtetit.
“Nuk mundet një pushtet ekzekutiv e përfaqësuar nga një ministre e Brendshme të thotë nuk ka Ministria e Brendshme përgjegjësi. Ministrja e Brendshme duhet të largohet një orë e më parë, drejtori i policisë duhet të largohet. Ministrja e Brendshme duhet të largohet me atë deklaratë që ka bërë. Nuk mund të thotë që ne institucioni që ruajmë rendin, nuk ka përgjegjësi. Po kush e ka përgjegjësinë? Kjo ministre e Brendshme është e papërgjegjshme me atë deklaratë që ka bërë”, tha avokati.
Ministrja e Punëve të Brendshme deklaroi një ditë më parë në reagimin e saj se “Policia nuk ka përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave”.