“E di që është brenda, por s’hap derën” – Pronari i “exchange”-it i zhduk të moshuarit 12 mln lekë (Video)

Një 75-vjeçar nga Kuçova është ankuar në emisionin “Piranjat”, pasi është mashtruar nga miku i tij, Arben Karakashi, një pronar “exchange”-i në qendër të qytetit, i cili pas marrjes së parave është zhdukur pa lënë gjurmë.

I mashtruari rrëfen se më 18 qershor, në orën 4 pasdite, i ka dhënë Arbenit një shumë prej 3 mijë dollarësh dhe 384 mijë lekësh të vjetra në këmbim të 3 mijë eurove, që i duheshin për djalin që do të vinte nga Amerika. Por kur e mori në telefon dy orë më vonë, Karakashi nisi justifikime: “Jam në Berat, gruaja më është sëmurë”, dhe më pas i fiku telefonin.

Maliqi e njihte Arbenin prej vitesh; e frekuentonte shpesh për këmbime valutash dhe pagesa faturash.
“Kishim marrëdhënie të mira, madje kemi pirë edhe kafe bashkë. Nuk ma merrte mendja kurrë që do bënte një gjë të tillë,” – thotë ai. Por më pas, zbuloi se nuk ishte i vetmi.

“Të gjithë më thonë që ai ka mashtruar edhe të tjerë. Unë gabova që s’pyeta më parë,” – rrëfen i moshuari.

Duhet sqaruar se, përveç shumës së parë, Maliqi thotë se i ka dhënë Karakashit edhe 4 milionë lekë dhe 6 mijë dollarë të tjerë borxh, gjithsej rreth 12 milionë lekë me kursin e sotëm. “Kam një letër me vulën e dyqanit të tij që vërteton këtë,” – shton ai.

Pas ngjarjes, Arben Karakashi ka mbyllur dyqanin në qendër të Kuçovës dhe është zhdukur. As në shtëpi nuk gjendet, as në telefon nuk përgjigjet, madje as me familjarët s’ka më asnjë kontakt.
“E di që është brenda, por nuk hap derën,” – thotë Maliqi, që e ka kërkuar disa herë në vendbanim.

Komshinjtë e përshkruajnë Karakashin si njeri të qetë, por që kishte ngecur me lekët. Disa besojnë se ende lëviz natën. Të tjerë mendojnë se është fshehur diku për t’i shpëtuar borxheve që ka lënë pas.

Në përballjen me “Piranjat”, Karakashi deklaroi se nuk i përgjigjet zotit Laze, pasi ai e ka shqetësuar me 80 telefonata – një justifikim absurd, që tregon mosmirënjohje ndaj mikut që e ka ndihmuar në ditë të vështira. Në fund të bisedës, Arbeni tregoi se e njeh borxhin, por se do ta kthejë vetëm pasi të mbyllë detyrimet.

Ndërkohë, Maliq Laze thotë se nuk do të ndalet: “Do t’i bie edhe 180 herë telefonit… dua vetëm djersën time”./Emisioni “Piranjat”