Mbrëmjen e së shtunës u raportua arrestimi i avokatit Ulian Barjami, pas një përplasjeje verbale të ndodhur gjatë një seance gjyqësore në Tiranë.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur gjatë shqyrtimit të masës së sigurisë për klientin e tij, Maksim Lika (i njohur si “Suci”), i arrestuar kohët e fundit në kuadër të një operacioni policor në Elbasan.
Avokati Barjami ka deklaruar në sallë se do të kallëzonte penalisht prokurorin dhe oficerët e policisë gjyqësore, pasi sipas tij, kishte konstatuar “manipulim provash” kundër klientit të tij.
Ky moment duket se ka shkaktuar tensione në sallë.
Në një video të publikuar nga avokati Arben Llangozi, dëgjohet prokurori Gjergji Ceka të reagojë ashpër duke thënë: “Avokati duhet arrestuar”.
Audio e plotë:
Më pas ndërhyri gjyqtarja Megi Strakosha, e cila paralajmëroi avokatin për gjuhën e përdorur në sallë.
“Nuk funksionohet me kërcënime në sallën e gjyqit. Përqendrohu te mbrojtja e klientit tënd, përndryshe do të caktoj një avokat tjetër kryesisht”, dëgjohet të thotë gjyqtarja Strakosha në regjistrimin audio të publikuar.
Sipas Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, që reagoi menjëherë pas arrestimit, deklaratat e avokatit Barjami nuk përbënin kërcënim, por shprehje të të drejtës ligjore për të bërë kallëzim penal.
“Avokati, pasi konstatoi një mospërputhje mes provës me video dhe procesverbalit të paraqitur nga prokurori, deklaroi se do të bënte kallëzim për falsifikim provash. Reagimi i prokurorit Ceka, i cili tha ‘do të arrestohesh’, dhe ndërhyrja e menjëhershme e gjyqtares, janë të pajustifikuara në një proces të drejtë gjyqësor,” thuhet në reagimin e Dhomës së Avokatisë.
Ngjarja ka ngjallur debate në opinionin publik dhe në radhët e komunitetit ligjor, ndërsa Dhoma e Avokatisë ka paralajmëruar ndjekjen e rastit përmes kanaleve institucionale.
Vetë Prokuroria e Elbasanit kishte shpërndarë për mediat një audio të prerë, për të manipuluar opinionin publik dhe ligjitimuar arrestimin e avokatit, Ulian Barjami.
Audio e shpërndarë nga Prokuroria e Elbasanit: