Një zhvillim i ri ka dalë në dritë në lidhje me çështjen më të mistershme të botës së krimit në Shqipëri — zhdukjen e Ervis Martinajt. Gazetarja Klodiana Lala, në një intervistë për MCN TV, ka zbuluar se një personazh i njohur i botës së krimit ka kërkuar statusin e të penduarit të drejtësisë, me pretendimin se di të vërtetën për fatin e Martinajt, por SPAK nuk ia ka dhënë këtë status.
Sipas Lalës, ky person kishte pretenduar se mund të ndihmonte hetimin për të zbardhur misterin e zhdukjes së Ervis Martinajt, por kërkesa e tij nuk u pranua nga prokuroria.
Në të njëjtën kohë, gazetarja tha se babai i Ervis Martinajt, Mustafa Martinaj, i është drejtuar gjykatës me kërkesë për ta shpallur djalin e tij të zhdukur, pasi prej tre vitesh nuk ka pasur asnjë kontakt me të.
> “Mustafa Martinaj ka kërkuar shpalljen si të zhdukur të djalit të tij, Ervis Martinaj. Xhaxhai i Martinajt ka vajtur në polici në vitin 2022 duke thënë se ka humbur kontaktet me Ervisin. Që prej atij viti nuk dihet asgjë për fatin e tij,” – u shpreh Lala.
Sipas gazetares, procedura ligjore për shpalljen e një personi të zhdukur është e qartë: kur familjarët nuk kanë kontakt për më shumë se dy vite, kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës për ta shpallur si të zhdukur, në mënyrë që të kenë akses mbi të drejtat pronësore.
“Gjykata, pasi merr kërkesën, shpall njoftimet publike që qëndrojnë gjashtë muaj me radhë. Nëse brenda kësaj periudhe nuk paraqitet asnjë informacion apo provë e re, formohet një tresh gjykuese dhe procedura kalon në fazë tjetër. Gjyqtarët u dërgojnë shkresa institucioneve dhe nëse marrin përgjigje negative, personi shpallet i zhdukur. Vetëm pas katër vitesh të tjera familja mund të kërkojë shpalljen si i vdekur – një proces shumë më i vështirë dhe i ndërlikuar,” – sqaroi Lala.
Nëse më pas del se personi është gjallë, lindin probleme të reja ligjore, përfshirë ndjekjen penale dhe rivendosjen e statusit juridik të tij.
Gazetarja shtoi se Prokuroria e Lezhës është institucioni që po mban dosjen e hetimit, dhe se drejtuesi Arben Nika është përgjegjës për ecurinë e saj. Sipas saj, në këto tre vite hetimet kanë qenë minimale: janë marrë kamerat e sigurisë, janë pyetur disa persona që kanë patur dijeni për rastin, përfshirë edhe vajzën që e shoqëronte Martinajn në momentin e fundit, si dhe policin që është dënuar për lidhje me këtë ngjarje.
“Dosja është zyrtarisht e hapur, por në gjendje të fjetur. Nuk është as pezulluar dhe as kthyer. Prokuroria mund ta riaktivizojë në çdo moment, nëse dalin informacione të reja,” – tha gazetarja.
Duke komentuar mungesën e çdo sinjali për tre vite me radhë, Lala shtoi se beson se Ervis Martinaj mund të jetë rrëmbyer dhe vrarë, duke e konsideruar rastin “shumë kompleks për shkak të figurës së tij, përplasjeve të shumta në botën e krimit dhe konflikteve që kishte me pushtetin para zhdukjes.”
“Fakti që Martinaj nuk ka dhënë asnjë shenjë jete për tre vite më bën të besoj se nuk është gjallë. Ai kishte ndikim të madh në botën e lojërave të fatit dhe përfshihej në përplasje të forta me grupe rivale, por edhe me njerëz të mazhorancës,” – tha Lala.
Në fund, gazetarja nënvizoi se informacionet që ajo disponon flasin për një person shumë të njohur të krimit, i cili ka kërkuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të tregojë gjithçka që di për fatin e Martinajt, por nuk u pranua nga SPAK për arsye që nuk janë bërë publike.
“Në informacionet që kam, ka patur një tentativë nga një person i rëndësishëm i botës së krimit për të marrë statusin e të penduarit, duke pretenduar se di për fatin e Martinajt. Nuk i është dhënë. Nuk di të them pse,” – përfundoi Klodiana Lala.