Një tjetër faqe e artë për sportin shqiptar!
Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj është shpallur sonte rreth orës 23.00, kampion bote në versionin IBO, në peshën “Cruiserweight”, pas një fitoreje dominuese ndaj Rolly Lambert në “O2 Arena” të Londrës.
Që nga fillimi i ndeshjes, Uldedaj e mori kontrollin e plotë të ringut, duke e mbajtur iniciativën dhe ritmin e duelit.
Goditjet e tij ishin të sakta, të forta dhe të shpeshta, ndërsa Lambert u detyrua të mbyllej në mbrojtje pa arritur të reagojë.
Në raundet e mesme, rivali tentoi disa herë të ndryshonte ecurinë e sfidës, por Uldedaj menaxhoi me qetësi, duke ruajtur presionin dhe avantazhin teknik.
Publiku në “O2 Arena”, mes tyre qindra tifozë shqiptarë me flamuj kuqezi, krijoi një atmosferë të zjarrtë, duke brohoritur çdo goditje të kampionit shqiptar.
Në fund të 12 raundeve, juria shpalli fitore unanime për Jurgen Uldedajn, që me këtë triumf u bë boksieri i parë shqiptar që fiton titull bote në kategorinë IBO për peshën “Cruiserweight”.

Foto nga ndeshja e sotme
Një ëndërr shqiptare në ringun botëror
Fitorja e Uldedajt nuk është vetëm një sukses personal, por një moment historik për sportin shqiptar.
I lindur në Lezhë dhe i rritur në Gjermani, Jurgen Uldedaj ka ndërtuar me durim një karrierë të fortë ndërkombëtare, duke fituar respekt në arenën e boksit profesionist evropian.
Në përfundim të ndeshjes, 28-vjeçari deklaroi me emocion: “Ky titull është për Shqipërinë dhe për të gjithë ata që besuan tek unë. Flamuri kuqezi sot është në majën e botës!”



