Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, tha në një intervistë për De Morgen se në rast se Rusia sulmon kryeqytetin e një shteti anëtar të NATO-s, “Moskën do ta shkatërrojmë deri në themel”, duke shtuar se vendet perëndimore nuk duhet të lejojnë të kërcënohen.
“Jo, sepse në atë rast Rusia do të sulmonte zemrën e NATO-s, dhe ne do ta shkatërronim Moskën deri në themel”, u shpreh Francken, duke iu përgjigjur pyetjes nëse i druhej një sulmi të mundshëm me raketë jo-bërthamore të Putinit ndaj Brukselit.
Ambasada ruse në Belgjikë reagoi duke i cilësuar fjalët e ministrit si “provokuese dhe të papërgjegjshme”, duke shtuar se ato përfaqësojnë një “devijim ushtarak”.
Francken gjithashtu shprehu shqetësimin për veprimet hibride të Rusisë, duke përmendur shembullin e “burrave të gjelbër” në Estoni që përpiqen të nxisin pakicën rusishtfolëse kundër qeverisë estoneze.
Sipas ministrit belg, ndërhyrjet e Rusisë në hapësirën ajrore të vendeve të NATO-s, si ajo në Estoni, tregojnë nevojën për një reaksion të vendosur të Aleancës.
Gjeneral Alexus Grynkevich, komandant i Forcave të Përbashkëta të NATO-s, kishte deklaruar më parë se veprimet e vendosura të Aleancës kanë detyruar Moskën të veprojë më kujdesshëm.