Një 16-vjeçar në Itali është dënuar ditën e sotme me 17 vite burg për vdekjen e 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila, e cila ra nga ballkoni i banesës së saj nga kati i shtatë, ngjarje kjo që ndodhi më 25 tetor 2024 në Piacenza.
Sipas Ansa-s, seanca gjyqësore u zhvillua në Gjykatën e të Miturve në Bolonja, ku gjyqtari vendosi për dënimin me 17 vite heqje lirie, pasi prokurori i çështjes kishte kërkuar 20 vite dhe 8 muaj burg.
Prindërit e Aurorës, janë shprehur se drejtësia është vendosur në vend, por do të ishte më mirë sipas tyre që 16-vjeçari të dënohej me 20 vite burg, e jo 17.
“Jam e kënaqur me dënimin prej 17 vitesh burg, edhe pse 20 do të ishin më mirë. Të paktën, drejtësia është vënë në vend. Gjithmonë kam besuar tek drejtësia, e kam thënë këtë që nga fillimi”, u shpreh nëna e 13-vjeçares së ndjerë.
Viktima dhe 16-vjeçari kanë qenë të lidhur, e sipas raportimeve të mëparshme, ka qenë vajza e cila i ka dhënë fund marrëdhënies për shkak të problemeve që kanë pasur.
Familjarët e viktimës, kanë shprehur se ajo nuk kishte shfaqur asnjë shenjë depresioni, por e ëma e 13-vjeçares kishte kryer disa ditë para ngjarjes tragjike një denoncim për adoleshentin, pasi e shqetësonte të miturën.
Sakaq, 16-vjeçari ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, duke u shprehur se vajza është hedhur vetë nga ballkoni. Ka qenë ai i cili ka kërkuar ndihmë te fqinjët në momentin e parë dhe kishte telefonuar policinë.
Por dëshmitë treguan të kundërtën.
Një dëshmitar zbuloi se ishte i pandehuri ai që e bëri Aurorën të rrëzohej, ndërsa ajo, e kapur pas kangjellave dhe pas belit, i tha: “Të dua, nuk mund të ma bësh këtë”.