Detaje të tjera janë zbuluar sa i takon atentatit të ditës së sotme tek rrethrrotullimi i Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë shoqëruesi i tij Mustafa ( Muço) Sheqeri ( Shaljani).
Atentati ishte realizuar me detaje.
Një nga personat, që dyshohet të ketë pasur rolin e vëzhguesit dhe informatorit, është identifikuar nga policia e Tiranës.
Kjo pasi ai është parë të ruante viktimën dhe të plagosurin që nga momenti kur dalin nga aeroporti, teksa futen në parkim për të marrë automjetin të cilin e kishin parkuar aty në datë 7 nëntor, datë në të cilën udhëtuan drejt Barcelonës nga ku edhe po ktheheshin.
Personi që i ruante, fillimisht ishte me syze, ndërsa më pas nuk ka pasur asnjë maskë mbuluese çka ka bërë më të lehtë identifikimin nga ana e grupit hetimor.
Ai qëndronte jo më larg se 30 sekonda nga shenjestra dhe i plagosuri.
Dhe përgjatë kohës njoftonte personat që ndodheshin në automjetin tip Toyota që rezultoi të jetë përdorur nga autorët e dyshuar të kësaj vrasjeje të rëndë.
Nga ana tjetër, autorët kanë shkuar disa minuta përpara në afërsi të rrethrrotullimit të Rinasit.
Kjo për shkak se avioni pretendohej të vinte 40 minuta më herët por ka pasur vonesë çka ka shkaktuar pritje.
Ndërkohë në momentin që janë njoftuar nga personi që vëzhgonte, autorët kanë dalë me mjetin e tyre në anën tjetër të rrethit, me drejtim për tu nisur nga Fushë-Kruja.
Në kamerat e sigurisë, personi që i ruan del në këmbë dhe shoqëron me sy automjetin tip benz ku udhëtonin Gilmando Dani dhe Muço Shaljani.
Dhe qëndron në këmbë duke parë gjithë ngjarjen. Pasi kryhet akti i rëndë kthehet dhe merr automjetin e parkuar në aeroport dhe largohet.
Këto të dhëna janë mbledhur nga hetuesit, është bërë identifikimi i informatorit dhe pritet të bëhet shpallja në kërkim e arrestimi i tij.
Ky person luan një rol kyç në zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Nga ana tjetër një skenë e rëndë u zhvillua përpara syrit të mijëra qytetarëve.
Autorët dyshohet se ishin 3 dhe kanë qëlluar me 3 armë tip kallashnikov në drejtim të Gilmando Danit dhe Muço Shaljanit.
Pasi kanë qëlluar së pari, Shaljani ka bërë një tentativë për tu larguar por në pamundësi për shkak të plagëve.
Automjeti Tip toyota është rikthyer përsëri dhe ka qëlluar përsëri në drejtim të automjetit tip benz.
Autori kryesor që përshkruhet edhe si më aktivi, ka zbritur nga automjeti është afruar tek dera e pasagjerit dhe me armë dyshohet tip pistoletë tashmë, ka qëlluar edhe nga një distancë shumë e afërt Gilmando Danin, duke e lënë të vdekur në vend.
Autorët u larguan në drejtim të fshatit Halil ku dogjën edhe automjetin, së bashku me armët e përdorura për të kryer krimin.
Ndërkohë policia ka gjetur rreth 50 gezhoja në perimetrin ku ka ndodhur ngjarja. Gëzhojat dyshohet se i përkasin tipit të armës kallashnikov.