Centrist Democrat International (IDC-CDI) është një prej organizatave më të mëdha politike globale të qendrës së djathtë.
Me një histori mbi gjysmë shekulli dhe një prani aktive në katër kontinente, kjo organizatë përpiqet të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e politikave demokratike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe promovimin e ekonomikave të ndërtuara mbi përgjegjësinë sociale.
IDC-CDI dhe figurat në drejtimin e organizatës
Në Asamblenë e fundit të mbajtur në Sao Paulo të Brazilit, ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha u zgjodh nënkryetar i IDC-CDI-së. Ky është një nga postet e larta drejtuese në organizatë, që aktualisht ka 17 zëvendëspresidentë nga vende të ndryshme të botës.
Në këtë mbledhje u rizgjodh gjithashtu si president i organizatës ish-presidenti kolumbian Andres Pastrana Arango, ndërsa Antonio Lopez-Isturiz nga Partia Popullore e Spanjës u konfirmua si sekretar i përgjithshëm.
Në Presidencë nga Europa janë gjithashtu kryeministri i Kroacisë Andrey Plenkovic, kryeministri i ardhshëm i Sllovenisë Janezs Jansa dhe Kkyeministri i Hungarisër, Victor Orban.
IDC-CDI u themelua në vitin 1960 (fillimisht nën emrin Unioni Botëror i Demokristianëve) dhe sot përfshin 115 parti politike nga 82 vende.
Ajo funksionon përmes rrjeteve rajonale të shtrira në:
-Europë
-Amerikën Latine
-Afrikën
-Rajonin Azi–Paqësor
Si pjesë e strukturës së saj, organizata ka edhe një forum të posaçëm rinor që nxit përfshirjen politike të të rinjve.
Sipas faqes së saj zyrtare, parimet e IDC-CDI-së bazohen në humanizmin kristian ose integral, duke vënë në qendër dinjitetin e njeriut, respektimin e të drejtave themelore, paqen, drejtësinë dhe ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme. Organizata gëzon edhe status këshillues pranë Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (ECOSOC).
Plenkovic, i rizgjedhur gjithashtu në të njëjtin post, deklaroi se IDC-CDI është një forum ku partitë demokristiane dhe qendër-djathta koordinojnë përgjigjet politike ndaj sfidave globale, nga siguria ndërkombëtare e deri tek krizat energjetike e gjeopolitike.
Zgjedhja e ish-kryeministrit shqiptar vjen në një moment tensioni të lartë politik në Shqipëri, por edhe në një kohë të vështirë ligjore për Berishën, për shkak të procesit gjyqësor kundër tij lidhur me çështjen e dosjes “Partizani”. IDC-CDI ka qenë ndër forumet e para ndërkombëtare që e ka mbështetur Partinë Demokratike në akuzat e saj për parregullsitë e zgjedhjeve të 11 majit.
Madje, vetëm pak orë pasi Berisha u konfirmua si zëvendëspresident, Asambleja e IDC-CDI miratoi një rezolutë të veçantë (lexo këtu) për regresin e demokracisë në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për liritë politike dhe zhvillimet institucionale në vend.
IDC-CDI njihet gjithashtu për veprimtarinë e saj historike në mbrojtje të aktivistëve demokratikë në vende autoritare. Organizata ka ndërhyrë në raste të ndjeshme ndërkombëtare, si rasti i vdekjes së disidentëve kubanë Oswaldo Paya dhe Harold Cepero, duke kërkuar hetime të pavarura dhe respektim të të drejtave të njeriut.