Gjylymsere Kasapi, një grua fisnike e cila në të gjithë shqiptarinë njihet si një nënë e fortë, por që jeta është treguar herë pas here mizore me të, ka folur për herë të parë për vdekjen e djalit të saj, Shpatit.
Pas humbjes së bashkëshortit 25 vite më parë, këngëtarit dhe tekstshkruesit Naim Kasapi, ajo u detyrua të rriste vetë tre engjëjt e saj, Albinin, Jehonën dhe Shpatin. Por jeta u tregua për të dytën herë radhazi e pamëshirshme me të, duke i marrë gjysmën e shpirtit, dritën e syve që e kishte pikën më të dobët, Shpatin.
Pas ditësh heshtjeje, dhimbjeje dhe një zbrazëtie që nuk ka fjalë që mund ta shpjegojnë, ajo ka falenderuar të gjithë ata që u bënë pjesë e homazheve për Shpatin dhe që e nderuan atë.
Ndonëse për 22 vite me radhë si pedagoge por dhe deputete ka ligjëruar para publikut, sot, para humbjes së fëmijës së saj, zëri i dridhej dhe zemra ishte duke i dalë vendit.
E shkatërruar, por dhe krenare për djalin që rriti, zonja Gjylymsere thotë se ajo do të gjejë forcë për të jetuar te Roeli, amaneti i birit të saj dhe te fëmijët e tjerë të cilët tashmë janë dritat e vetme që mund ta mbajnë gjallë dhe ta shtyjnë të ecë përpara.
“Faleminderit zotërisë, Izet Mexhitit, mikut tim që falenderove këtë eveniment për nder të humbjes së madhe të shpirtit tim, të gjysmës time, Shpatit. Ndoshta do të thoni po pse nuk jam në gjendje të flas sot, 22 vite kam ligjëruar, por sot ndjej një emocion që kurë në jetë nuk e kam ndjerë dhe e dinë të gjitha nënat që kanë humbur fëmijën e vet.
Por në një aspekt tjetër, jam shumë krenare dhe e lumtur që paskam lindur një djalë jo vetëm i imi, por Shpati paska qenë djali i të gjithëve. Ju e keni dashur Shpatin kaq shumë dhe unë nuk e kam ditur. Ju falenderoj të gjithëve Le të prehet në paqe. le të jetë i qetë atje sepse vitin e fundit nuk ka qenë i qetë. Kjo ka qenë një parandjenjë e të gjithëve ne, e lus Zotin me lutjen time që të mi rruajë fëmijët e tjerë sepse unë kam edhe dritat e tjera të syve. Albinin, Jehonën, nipërit, Roelin, Selvien dhe të gjithë mbesat e nipërit që do të më mbajnë të gjallë, të vazhdoj jetën nëse kam jetë më tutje. Le të prehet në paqe dhe Parajasë në lulen e Xhehnetit”, tha ajo në ceremoninë përkujtimore për të birin e organizuar nga zv.kryeministri i parë i Maqedonisë, Izet Mexhiti.