Pronarja po e nxjerr jashtë, Fatbardha ka nevojë për një strehë

Ndihmoni Fatbardhën duke telefonuar në: 069 89 79 551

Fatbardha Kasmi një zonjë 65-vjeçe jeton në Durrës, në lagjen Egnatia, në një pallat që brenda pak ditësh do të shembet. Ajo nuk ka familje të sajën, nuk është e martuar dhe gjithë jetën ia ka kushtuar vëllait të saj të sëmurë, për të cilin kujdeset ditë e natë.

Kur e takuam, Fatbardha na doli përpara e tronditur, e shqetësuar, me një hall që e rëndon më shumë se çdo barrë fizike, pronarja i ka kërkuar të lirojë shtëpinë, pasi godina do të shembet. Të gjithë fqinjët janë larguar tashmë… vetëm ajo dhe vëllai i saj i sëmurë kanë mbetur brenda, sepse nuk kanë se ku të shkojnë.

Prej javësh, Fatbardha endet nëpër Durrës në kërkim të një strehimi, por qiratë janë të papërballueshme. Ajo nuk ka pension. Jeta e saj mbahet vetëm mbi një punë në të zezë që mezi i sjell disa para, duke larë shkallët e një pallati. Qiranë e shtëpisë ku jeton sot, 70 mijë lekë të vjetra, e paguan me pensionin e të vëllait. Edhe ujin ia kanë prerë, sepse nuk kishte mundësi ta paguante.

Gjithë çfarë kërkon kjo grua e lodhur nga jeta, por ende e fortë nga zemra, është një strehë e sigurt, një shtëpi e thjeshtë me qira të arsyeshme, një vend ku të mund të jetojë me dinjitet dhe të kujdeset për vëllain e saj.

Nëse mund ta ndihmoni Fatbardhën, qoftë me strehim, qoftë me mbështetje, telefononi në: 069 89 79 551. Për të, çdo telefonatë është një shpresë.