Mysliman, 43 vjeç me dy fëmijë: Heroi i Bondi Beach u qëllua dy herë pasi çarmatosi autorin e sulmit

Një qytetar që u kthye në hero gjatë sulmit me armë zjarri në Bondi Beach në Sydney, u qëllua dhe ndodhet në spital në pritje të ndërhyrjes kirurgjikale, kanë bërë të ditur familjarët e tij.

Pamje tronditëse të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur burri i afrohet nga pas njërit prej autorëve të armatosur, i cili po qëllonte në drejtim të qytetarëve që po largoheshin me panik. Ai e rrëzon përtokë autorin dhe i rrëmben armën nga duart, duke ndalur përkohësisht sulmin.

Pasi e çarmatos, burri drejton armën nga sulmuesi, i cili zvarritet dhe largohet drejt një sulmuesi të dytë që vijonte të qëllonte mbi turmën.

Menjëherë pas kësaj, qytetari ngre duart lart për t’u identifikuar si i padëmshëm për forcat e policisë, vendos armën në tokë dhe largohet nga vendngjarja.

Kanalet televizive australiane po fillojnë të japin disa detaje rreth burrit që çarmatosi atentatorin në Bondi Beach.

Emri i tij është Ahmed al-Ahmed, është 43 vjeç, baba i dy fëmijëve, me origjinë nga Sydney, mysliman dhe pronar i një dyqani frutash në periferi të Sutherland.

Ahmed nuk kishte asnjë përvojë me armët e zjarrit dhe ndodhej rastësisht pranë vendit të ngjarjes kur vendosi të ndërhynte për të shpëtuar të tjerët.

Në kaosin e krijuar, ai u qëllua dy herë dhe aktualisht ndodhet i shtruar në spital.

“Ai është në spital dhe ende nuk e dimë saktësisht gjendjen e tij. Shpresojmë që të jetë mirë. Ai është një hero, 100 për qind”, u shpreh kushëriri i tij, Mustafa.

Sulmi në Bondi Beach ka shkaktuar 12 viktima dhe ka tronditur opinionin publik në Australi, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për rrethanat dhe motivet e ngjarjes.