Detaje nga arratisja e Altin Ndocit, kush është polici që qëlloi në ajër për ta trembur. Targat e “Audi”-t të vjedhura para disa ditësh

Detaje janë zbuluar nga arratisja e Altin Ndocit këtë të martë, nga spitali i Durrësit, ndërkohë që shoqërohej nga disa punonjës policie.

Një nga policët që e shoqëronte Ndocin nga paraburgimi i Durrësit për në spital, ka qenë Fatjon Baci. Ai është personi që shfaqet në pamjet që kanë qarkulluar nga momenti i arratisjes së Ndocit dhe shihet me armë në dorë.

Në momentin kur Ndoci arriti t’u largohej punonjësve të Policisë, Baci ka qëlluar në ajër me armën e shërbimit për ta trembur, por kjo nuk mjaftoi për ta ndaluar të arratisurin.

Targat e “Audi”-t të vjedhura para disa ditësh

Kamerat e sigurisë tregojnë se ai u arratis nëpërmjet një makinë “Audi A7“, me targë AA700RS, që e priste te parkingu i spitalit.

Targat e automjetit që u përdor për arratisjen e Ndocit nga Spitali i Durrësit rezultojnë të denoncuara të vjedhura pak ditë më parë.

Autorët që ndihmuan në arratisjen e Ndocit duket se e kishin planifikuar në detaje planin, në mënyrë që askush të mos dyshonte pasi modeli i makinës që u vodhën targat dhe makina që u përdor për arratisje është i njëjtë, “Audi A7”.

Arratisja spektakolare

Altin Ndoci, një personazh i njohur i botës së krimit, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, u arratis nga paraburgimi këtë të martë. 39-vjeçari ishte dërguar në infektivin e spitalit pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore.

“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në një deklaratë paraprake të Drejtorisë së Burgjeve.

Ndoci dyshohet të jetë arratisur në momentin kur është lënë vetëm brenda një dhome në spital. Mbetet e paqartë si ka arritur të largohet, duke qenë se për ruajtjen e tij ishin caktuar të paktën pesë efektivë policie.

Forca të shumta policie janë vënë në lëvizje me qëllim kapjen e tij. Ndërkohë, arratisja e Ndocit ka sjellë pezullimin e gjithë zinxhirit komandues të burgut të Durrësit. Deri më tani raportohet për 10 zyrtarë të pezulluar.

Kush është Altin Ndoci

I arrestuar e akuzuar për disa vepra të rënda penale, më kryesorja ajo e vrasjes me pagesë, Altin Ndoci ndodhej në qelinë e burgut të Durrësit pas operacionit të Prokurorisë së Posaçme, “Plumbi i Artë”, një operacion i ndarë në dy faza. E para ishte në vitin 2022, ndërsa faza e dytë në vitin 2024. Në këtë rast u zbardhën pesë vrasje dhe u lëshuan mbi 30 urdhër-arreste.

Altin Ndoci akuzohet nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc e Hajdar Çopja. Hetimet për këtë organizatë u mbyllën dhe dosja u çua për gjykim në tetor të 2025-s.

Altin Ndoci është akuzuar për disa ngjarje të rënda kriminale, mes të cilave: Vrasjen e vëllezërve Haxhia (Durrës, 2020); Vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdias (Durrës, 2020); Masakrën e Bradasheshit (Elbasan 2018; Ekzekutimi i Andi Zylyfit, plagosja e Ardit Uruçit). Ai po ashtu është akuzuar për armëmbajtje pa leje, trafik droge dhe grabitje.