Një situatë e paprecedentë është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Bashkinë e qytetit të Vlorës.
Dhjetëra tregtarë kanë mësyrë brenda bashkisë, pas paralajmërimit për mbylljen e tregut industrial të qytetit.
Tregtarë janë futur me forcë brenda institucionit, në shenjë revolte ndaj vendimeve që po i nxjerrin sipas tyre në rrugë dhe po i lënë pa punë.
“Po na nxjerrin në rrugë, jemi hallexhinj, na lanë pa punë”, dëgjohen të thonë tregtarët, të cilët akuzojnë Bashkinë e Vlorës për mungesë dialogu.
“As s’kam vrarë, as s’kam prerë, as me drogë s’i kam marrë. Vetëm me djersën e ballit,” tha ajo, duke këmbëngulur se nuk do të largohet nga vendi i saj i punës në asnjë rrethanë. “Aty ku jam, aty do të qëndroj dhe nuk lëviz. Merr armët dhe më vrit!”,- thotë një tjetër qytetare për mediat.
Tregu Industrial në Vlorë pritet të mbyllet, pasi bashkia u ka dhënë tregtarëve afat tre ditë për t’u larguar nga ambientet aktuale.
Sipas njoftimit zyrtar, në këtë zonë është parashikuar të ndërtohet një treg i ri, por tregtarët shprehen të shqetësuar se projekti mund të mos realizohet, ndërsa kanë akuzuar autoritetet për mungesë transparence dhe përgjegjësie.