Një histori e jashtëzakonshme nga Australia: 13-vjeçari sfidoi detin e trazuar për orë të tëra dhe shpëtoi familjen nga vdekja

Një histori mbijetese dhe guximi vjen nga brigjet jugperëndimore të Australisë Perëndimore, ku një djalë 13-vjeçar arriti të shpëtojë nënën dhe dy vëllezërit e tij më të vegjël, pasi notoi për rreth katër orë në det të hapur, në kushte të rrezikshme dhe me dritë që po shuhej.

Familja po pushonte në Quindalup, rreth 200 kilometra në jug të Perth-it, kur erërat e forta i shtynë paddleboard-at e fryrë dhe ‘kayak-un’ e tyre larg bregut, në Gjirin Geographe, pasditen e së premtes. Brenda pak minutash, ata u gjendën në mes të detit, pa mundësi për t’u kthyer.

Djali 13-vjeçar, i identifikuar nga ABC si Austin Appelbee, vendosi të vepronte. Ai u përpoq të kthehej drejt bregut me ‘kayak’ për të kërkuar ndihmë, por mjeti filloi të mbushej me ujë. Pa rrugë tjetër, ai u hodh në det dhe nisi një notim të gjatë dhe të lodhshëm prej rreth katër kilometrash.

“Po luftoja me dallgë të forta dhe errësirën që po afrohej”, tregoi ai për transmetuesin kombëtar. Fillimisht notoi me jelek shpëtimi, por pas rreth dy orësh e hoqi për të lëvizur më shpejt. Frika ishte e pranishme në çdo moment.

“Mendova se pashë diçka në ujë dhe u tremba shumë, por i thosha vetes se do t’ia dilja”, rrëfeu adoleshenti.

Për të mos u dorëzuar, ai u përqendrua te kujtimet dhe gjërat më të bukura në jetën e tij.

“Isha shumë i lodhur, por nuk e kuptoja sa i rraskapitur isha”, tha ai.

Pas disa orësh, më në fund preku rërën e bregut. I rrëzuar nga lodhja, gjeti forcë të ngrihej dhe të vraponte rreth dy kilometra për të gjetur një telefon. Telefonata e tij në numrin emergjent 000 ishte vendimtare.

“Më duhen helikopterë, anije, avionë. Familja ime është në det”, kujton se u tha autoriteteve, duke ruajtur qetësinë pavarësisht tronditjes.

Një histori e jashtëzakonshme nga Australia: 13-vjeçari sfidoi

Policia e Australisë Perëndimore nisi menjëherë një operacion të madh kërkim-shpëtimi, ku u përfshinë policia ujore, vullnetarë të shpëtimit detar dhe helikopteri i shpëtimit. Rreth orës 20:30, helikopteri lokalizoi nënën 47-vjeçare, një djalë 12 vjeç dhe një vajzë 8 vjeç, të kapur pas një paddleboard-i, rreth 14 kilometra larg bregut.

Një anije vullnetare arriti t’i nxirrte të sigurt në breg. Parametrat mjekësorë u kontrolluan nga ekipet e St John WA dhe familja u dërgua në qendrën shëndetësore të Busselton-it.

Autoritetet e cilësuan ngjarjen si një “shpëtim të jashtëzakonshëm”.

Policia theksoi se përshkrimi i saktë që dha 13-vjeçari për mjetet në det ishte jetik për operacionin, ndërsa guximi dhe vendosmëria e tij u vlerësuan si faktorët kryesorë që shpëtuan jetën e familjes.

“Veprimet e këtij djali janë shembull i jashtëzakonshëm guximi”, thanë autoritetet, duke rikujtuar se kushtet e detit mund të ndryshojnë brenda pak çastesh.