Rama në Vatikan, viziton bazilikën e Zojës së Shqipërisë: Prej 1467-ës nuk ka shkelur asnjë kryetar shteti shqiptar

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur sot në Vatikan. I shoqëruar nga bashkëshortja, Linda Rama, dhe djali i tij, Zaho, ndalesën e parë e ka bërë në bazilikën e famshme në Genazzano.

“Në bazilikën e famshme, ku gjendet shembëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, mbi një copë të shkëputur nga muri i Kishës së Shkodrës në vitin e largët 1467.

Që nga ajo kohë asnjë kryetar shteti ose qeverie shqiptare nuk e kishte shkelur pragun e bazilikës, ku krah Zojës së Shqipërisë qëndron përherë edhe flamuri ynë kombëtar, e ku kanë kryer vizita e rite thuajse të gjithë Papët e Romës.

Gjëja e parë që bëri edhe Papa Leoni XVI sapo u zgjodh, ishte vinte e të lutej në Genazzano te Zoja e Shqipërisë që thirret edhe Regina di Albania – Mbretëresha e Shqipëri”, shkruan Rama krahas fotove.

Sipas agjendës së bërë publike, kryeministri do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso”, nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij.

Pritja do t’i paraprijë audiencës që Rama do të ketë me Papa Leonin XIV, në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik.

Më pas, vizita do të vijojë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe në altarin e Shën Gjon Palit II.

Në përfundim të qëndrimit të tyre në Vatikan, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, do të vizitojnë vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.

Pjesë e kësaj vizite do të jenë edhe disa takime të tjera mes të cilave takimi me Kardinalin Pietro Parolini, Sekretar shteti i Vatikanit

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fediramaal%2Fposts%2Fpfbid0cvZrjSnqeAZh2hBh58ii3VUPded8L6WzJSMeYuguW25eyC46JPGFTZyWq9p4Wv94l&show_text=true&width=500