Breshëri plumbash nga jashtë dhe brenda berberhanes, publikohen pamjet e atentatit në Rrilë të Lezhës (Video)

Publikohen pamjet e atentatit të rëndë me armë zjarri të ndodhur në fshatin Rrilë të Lezhës, ku mbeti i plagosur rëndë berberi Sokol Daci.

Videoja, e siguruar nga kamerat e sigurisë, tregon momentin kur persona të armatosur hapin zjarr me kallashnikov drejt ambientit të berberhanes, duke rrezikuar seriozisht jetën e personave që ndodheshin brenda dhe jashtë saj.

Pamjet janë publikuar nga gazetari Artan Hoxha i cili shprehet: “Të frikshme përmasat e sulmit me Kallashnikovë në fshatin Rrilë të Lezhës. Fuqia e zjarrit ndaj berberanës së Sokol Dacit, i plagosur rëndë, duket si një sulm kartelesh në Amerikën Latine.

Vetëm zoti, duket se u tregua i mëshirshëm, pasi bëri të mundur të shpëtohen nga vdekja e sigurtë, jetët e personave që ndodheshin brenda berberanës dhe jashtë saj, në një hapsirë prej 10 metrash katrorë”.

Sipas hetimeve paraprake, dy autorë të armatosur me kallashnikov kanë qëlluar nga jashtë lokalit, ndërsa nga brenda dyshohet se është kthyer zjarr me pistoleta, duke çuar në një shkëmbim armësh ku janë përfshirë të paktën katër persona.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, kur shtatë persona, të kamufluar dhe me kapuçë në kokë, janë futur në berberhane duke u prezantuar si punonjës policie me thirrjen “Mos lëvizni, policia!”. Sipas policisë, pesë prej tyre ishin të armatosur me armë automatike, ndërsa dy të tjerët mbanin shkopinj bejsbolli.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë dhe veprimet hetimore, dyshohet se qëllimi fillestar i autorëve ka qenë dhunimi i 21-vjeçarit Merando Nikulaj, me të cilin kishin pasur një konflikt disa muaj më parë. Në momentin që autorët kanë hyrë në ambientin ku Nikulaj po qethej, janë përballur me të shtëna me armë zjarri, çka ka përshkallëzuar situatën në një përplasje të armatosur.

Sipas policisë, krahas efektivit Besart Kovaçi, i cili është arrestuar për shpërdorim detyre, dyshohet se ka qëlluar me armë edhe vetë Merando Nikulaj. Në këtë situatë, një nga autorët i është përgjigjur me breshëri automatiku, nga ku mbeti i plagosur rëndë berberi Sokol Daci, i cili ndodhej në krye të detyrës.

Deri në këtë fazë të hetimeve, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim katër persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarje: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka, Kevin Ndoka dhe 21-vjeçarin Merando Nikulaj, ky i fundit i dyshuar i plagosur në këmbë, por që nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.

Policia bën me dije se vijon puna intensive për lokalizimin dhe arrestimin e personave në kërkim, ndërsa po kryhen kontrolle në disa zona ku dyshohet se ata mund të jenë fshehur. Hetimet po vijojnë për të dokumentuar plotësisht rolin e secilit të përfshirë në këtë atentat të rëndë.

ShikoVidonKëtu