Kishte precedent penal për krime kundër pronës/ Kush ishte 46-vjeçari shqiptar që humbi jetën gjatë grabitjes së një banese në Itali

hetimet në Itali vijojnë për vdekjen e 46-vjeçarit shqiptar Arben Cristea, i cili humbi jetën gjatë një tentative grabitjeje në një zonë kodrinore në periferi të Arezzos.

Sipas burimeve hetimore, Cristea dyshohet se ishte pjesë e një grupi që operonte në zonë dhe që mendohet të ketë ardhur nga rajoni i Lazio-s. Grupi dyshohet se kishte planifikuar disa grabitje në të njëjtën zonë, përpara se të largohej.

Para ngjarjes fatale, në kodrat e Policiano-s ishin raportuar të paktën dy tentativa të tjera të dyshimta për vjedhje banesash. Hetimet paraprake tregojnë se 46-vjeçari u plagos rëndë pasi u shpua nga një shtyllë gardhi, pjesërisht e elektrizuar për të penguar hyrjen e kafshëve të egra në të mbjella. Dyshohet se ai ka pësuar dëmtim në arterien femorale, duke shkaktuar hemorragji fatale brenda pak minutash. Një autopsi pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.

Autoritetet kanë përjashtuar, të paktën në këtë fazë, një lidhje të drejtpërdrejtë mes vdekjes së tij dhe të shtënave paralajmëruese në ajër nga kunati i pronarit të vilës.

Sipas të dhënave zyrtare, 46-vjeçari rezulton të ketë qenë me qëndrim të paligjshëm në Itali dhe me precedentë të mëparshëm penalë për krime kundër pronës. Hetuesit po punojnë për të identifikuar vendqëndrimin e tij të saktë dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.