Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në fshatin Rrilë, në Lezhë, ku një punonjës i OSHEE ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.
Sipas informacioneve të policisë, elektricisti 27-vjeçar M.P. ka rënë në kontakt me energjinë elektrike teksa po punonte për riparimin e një defekti, duke pësuar dëmtime fatale.
Fqinji i viktimës, Alfons Tashaj, rrëfeu rrethanat e ngjarjes dhe kushtet në të cilat po punonte i riu.
Sipas tij, 27-vjeçari kishte rreth një vit e gjysmë që kishte nisur punë si elektricist, pasi kishte përfunduar shkollën përkatëse. Ai u përshkrua si një djalë punëtor dhe i përkushtuar ndaj komunitetit.
“Kishte rreth një vit e gjysmë që kishte filluar punë si elektricist dhe kishte mbaruar shkollën. Ishte një djalë shumë punëtor dhe inteligjent dhe ishte në shërbim të banorëve i cili sakrifikoi jetën e tij për të bërë një riparim në energjinë elektrike.
Markun sot e kishin marrë në telefon të OSHEE sepse kishin probleme në Barbolloj, dhe ka shkuar në transformatorin pranë nënstacionit të Rilës, 30 metra nga nënstacioni elektrik aty ku shkëputet energjia për të punuar punonjësit. Sipas thënieve ka hipur në transformator ndërsa kishte energji elektrike.
Ky nuk është rasti i parë që ka ndodhur në Lezhë sepse ka pasur raste të tjera që kanë lëshuar energjinë organet kompetente. Marku ka punuar në kushte shumë të vështira dhe pa kushte”, u shpreh fqinji i Mark Prengës.