Një burrë 64-vjeçar me origjinë shqiptare është shpallur në kërkim pas denoncimit për tentativë përd hunimi ndaj një vajze 25-vjeçare me aftësi të kufizuara brenda shtëpisë së familjes së saj në Kypseli.
Nëna e viktimës, Katerina Bekiaris, përshkroi momentet dramatike kur, duke u kthyer në shtëpi, e pa burrin mbi të bijën. Ajo tha se kishte marrë një tigan të madh dhe e goditi në kokë, duke tentuar ta largojë dhe të mbrojë vajzën e saj.
Sipas saj, ekspertiza mjeko-ligjore tregoi se nuk kishte ndodhur dhunë trupore, një gjë që ajo nuk e priste. Video nga kamera sigurie e transmetuar në MEGA tregon 64-vjeçarin duke hapur derën e jashtme të banesës me çelësa dhe duke u futur brenda, duke e mbyllur pas vetes. Në pamje shfaqet edhe përplasja me nënën, ku të dy bien në tokë, burri e godet dhe ajo reagon.
Një fqinjë e 64-vjeçarit deklaroi për MEGA se: “Vajza erdhi dhe më tregoi se ai tentoi ta përdhunonte. Më tha se ishte babai i saj, por nuk ia besova. Unë e njoh këtë njeri mbi 30 vjet. Një ditë e pashë që solli një vajzë me aftësi të kufizuara me karrocë dhe i thashë ‘ku po e çon vajzën?’ Ai tha se do ta lante sepse u ishte prerë uji. Më bëri përshtypje si e ngriti me karrocë.”
Sipas protothema.gr, 64-vjeçari dyshohet se kishte njohur nënën e vajzës në një organizim bamirësie të kishës. Denoncimi u bë nga nëna, e cila zbuloi ngjarjen përmes kamerave të vendosura në shtëpi dhe u përpoq menjëherë të ndërhynte.
Ajo shton se, kur tentoi të thërriste policinë, u sulmua me grushte dhe këmbë. Pas ngjarjes, 64-vjeçari është arratisur dhe vijon të jetë në kërkim nga autoritetet.


