Ministri i Jashtëm iranian sfidon Trump: Ejani e bëni luftë tokësore

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Arakçi, ka deklaruar se Teherani është i gatshëm të përballet me një pushtim të mundshëm tokësor nga Shtetet e Bashkuara. Në një intervistë për NBC News, Arakçi theksoi se çdo përpjekje e tillë do të sjellë një “katastrofë të madhe” për SHBA-në.

Ai shtoi se Irani nuk ka ndërmend të negociojë për armëpushim dhe se përpjekjet e mëparshme për dialog me SHBA-në kanë përfunduar me sulme gjatë negociatave. “Nuk shoh asnjë arsye për të negociuar,” tha Arakçi.

Ndërkohë, ministri iranian sqaroi se Irani aktualisht nuk ka plan për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, por nuk përjashtoi mundësinë e një veprimi të tillë, varësisht nga zhvillimet e luftës.

Në një postim në X, Arakçi iu drejtua drejtpërdrejt presidentit amerikan Donald Trump, duke shkruar: “Plani A për një fitore të shpejtë dhe të pastër ushtarake ka dështuar, Zoti President. Plani B juaj do të jetë një dështim edhe më i madh.”

Ai shtoi se mundësia për një marrëveshje unike është humbur, për shkak të politikës së SHBA-së që, sipas tij, ka penguar progresin e arritur gjatë negociatave. “’Izraeli i pari’ gjithmonë do të thotë ‘Amerika e fundit’,” shkroi Arakçi në postimin e tij.