Vizita e papritur në Kryeministri e ambasadores amerikane në Athinë, Kimberly GuilfoyIe, një figurë e afërt me presidentin Donald Trump, ka ngritur pikëpyetje për zhvillime të mundshme strategjike në rajon. Takimi vjen në një moment kur qeveria shqiptare ka anuluar tenderin për portin e ri në Porto Romano dhe kur në Mesdhe po zhvillohet një rivalitet i fortë mes SHBA dhe Kinës për kontrollin e porteve dhe korridoreve logjistike…
Një vizitë e pazakontë dhe e mbajtur larg vëmendjes publike është regjistruar mbrëmjen e të mërkurës në Kryeministri. Në ambientet e godinës është parë të hyjë Kimberly Guilfoyle, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, e cila është pritur që në hyrje nga kryeministri Edi Rama. Takimi ka ngritur menjëherë pikëpyetje për shkak të profilit politik të Guilfoyle dhe momentit në të cilin zhvillohet kjo vizitë.
Guilfoyle nuk konsiderohet thjesht një ambasadore amerikane në një vend fqinj të Shqipërisë. Ajo është një nga figurat më të afërta të presidentit amerikan Donald Trump dhe prej vitesh pjesë e rrethit të tij politik. Për një periudhë të gjatë ajo ka bashkëjetuar me Donald Trump Jr., djalin e presidentit amerikan, dhe në skenën politike amerikane njihet si një nga zërat më të fortë të kampit republikan.
Vizita bëhet edhe më intriguese për shkak se takimi është zhvilluar pa përfshirjen publike të Ambasadës së SHBA në Tiranë dhe të ngarkuarës me punë Nancy VanHorn. Ky detaj ka shtuar spekulimet se pas këtij takimi mund të qëndrojnë zhvillime më të mëdha strategjike apo ekonomike që lidhen me rajonin.
Takimi vjen në një moment të ndjeshëm për qeverinë shqiptare, e cila po përpiqet të çojë përpara projektin e portit të ri tregtar në Porto Romano. Vetëm një ditë më parë, qeveria vendosi anulimin e tenderit për këtë projekt, duke lënë të kuptohet se në proces mund të kenë hyrë edhe interesa të fuqishme ndërkombëtare.
Debati për portin e Porto Romanos është ndezur edhe pas një letre të mëparshme drejtuar kryeministrit Rama nga Grant Vancleave, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe një investitor amerikan i përfshirë në projekte infrastrukturore në rajon. Në këtë komunikim është propozuar anulimi i tenderit dhe përfshirja e kapitalit dhe ekspertizës amerikane në ndërtimin e portit të ri, duke e integruar atë me korridoret strategjike të transportit dhe energjisë në Ballkan.
Në këtë kontekst, prania në Tiranë e Kimberly Guilfoyle merr një dimension më të gjerë gjeopolitik. Ajo është një nga zërat më kritikë ndaj rritjes së ndikimit kinez në portet e Mesdheut, një çështje që është kthyer në një nga frontet kryesore të rivalitetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Një shembull i kësaj përballjeje është situata në Greqi. Parlamenti grek ka autorizuar zgjerimin e moleve dhe kantiereve detare të Elefsinës, një qytet industrial pranë Athinës që në vitin 2023 u ble nga kompania amerikane Onex. Grupi amerikan ka marrë në përdorim rreth 40 hektarë shtesë për të zgjeruar aktivitetin e tij në sektorët tregtarë, logjistikë, energjetikë dhe ushtarakë.
Rëndësia strategjike e Elefsinës lidhet edhe me afërsinë e saj me portin e Pireut, i cili kontrollohet në 67% nga kompania shtetërore kineze Cosco. Porti i Pireut është konsideruar nga lideri kinez Xi Jinping si “koka e Dragoit” në projektin e madh të Rrugës së Re të Mëndafshit, duke e kthyer atë në një nga pikat më të rëndësishme të ndikimit ekonomik të Kinës në Europë.
Që nga momenti kur mori detyrën në Athinë, Guilfoyle ka qenë e hapur në kritikat ndaj këtij realiteti. Ajo e ka cilësuar “të dënueshme” faktin që një strukturë kaq strategjike si porti i Pireut ndodhet në kontrollin e Kinës, duke e konsideruar këtë si një rrezik për interesat e SHBA dhe aleatëve të saj në rajon.
Deklaratat e saj shkaktuan reagim të menjëhershëm nga Pekini. Ambasada kineze në Athinë i cilësoi komentet e saj si “ndërhyrje të rënda në punët e brendshme të Greqisë”, duke paralajmëruar se porti i Pireut nuk duhet të kthehet në viktimë të përplasjeve gjeopolitike.
Në këtë kontekst, vizita e papritur e Kimberly Guilfoyle në Tiranë mund të lidhet me zhvillimet e reja në infrastrukturën portuale të rajonit dhe me interesin e Shteteve të Bashkuara për të zgjeruar ndikimin e tyre ekonomik dhe strategjik në Ballkan. Për momentin, Kryeministria nuk ka dhënë detaje zyrtare mbi përmbajtjen e takimit, duke e lënë këtë vizitë në një atmosferë të fortë misteri politik dhe gjeopolitik. /Pamfleti