Autoriteti Kòmbëtar i Ushqimit bën me dije se, gjatë kontrolleve rutinë të ushtruara në Pikat e Inspektimit Kufitar për garantimin e sigurisë së produkteve që importohen në Republikën e Shqipërisë, trupa inspektuese e PIK Kapshticë ka identifikuar dhe bllokuar një ngarkesë me pije energjike “Red Bull”.
Nga kontrolli i imtësishëm i dokumentacionit të paraqitur nga subjekti, rezultoi se ngarkesa me peshë totale prej 6,480 kg nuk përmbushte kërkesat ligjore për import, pasi disponohej vetëm fatura e blerjes së produktit, ndërsa mungonin dokumentet esenciale që vërtetojnë sigurinë dhe gjurmueshmërinë, si:
Certifikata e origjinës (EUR. 1);
Certifikata e cilësisë;
Certifikata e konformitetit;
Certifikata e analizës së produktit.
Për sa më sipër, në zbatim të Ligjit Nr. 9863, datë 28.01.2008 “Për ushqimin” (i ndryshuar), neni 16, pika 1, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi masën e menjëhershme administrative:
Bllokimin e ngarkesës prej 6,480 kg pije energjike;
Kthimin në origjinë të këtij produkti, duke ndaluar hyrjen e tij në tregun vendas.
Ky kontroll dëshmon angazhimin maksimal të AKU-së në pikat kufitare për të parandaluar futjen e produkteve që nuk garantojnë standardet e kërkuara.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mbetet i palëkundur në misionin e tij për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe garantimin e sigurisë ushqimore në çdo hap të zinxhirit tregtar.