“Do ketë surpriza”/ Paralajmëron Irani: Ishim në mbrojtje, tani kalojmë në sulm

Gjenerali Abdollahi, komàndanti i Komandës Qendrore Khatam Al-Anbiya në Iran, deklaroi se vendi ka ndryshuar qasjen e tij ushtarake, duke kaluar nga një qëndrim mbrojtës në një orientim më sulmues, me taktika të rinovuara, që përshtaten sipas situatës në terren.

Ai theksoi gjithashtu se armët moderne, të zhvilluara nga gjenerata e re e shkencëtarëve iranianë, tashmë po përdoren në terren, dhe se në ardhmen do ketë zhvillime “surprizë”.

Komanda Qendrore Khatam Al-Anbiya ka rol në koordinimin e veprimeve të ushtrisë dhe Gardës Revolucionare.

Sakaq, Irani ka përdorur dronë të rinj Arash-2 me autonomi deri në 2 mijë km në një sulm ndaj Izraelit, sipas agjencisë Tasnim dhe zëdhënësit të ushtrisë, gjeneralit Mohammad Akraminia.

Dronët thuhet se janë të vështirë për t’u zbuluar nga radarët dhe janë ekonomikë krahasuar me raketat. Objektivi raportohet të ketë qenë Aeroporti Ben-Gurion në Tel Aviv, ku ruhen dhe mirëmbahen autocisternat e karburantit. Deri tani nuk ka konfirmime nga burime të pavarura për sulmin.

6 kushte për t’i dhënë fund luftës me SHBA-të dhe Izraelin

Irani ka paraqitur gjashtë kushte thelbësore për të ndalur konfliktin me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, përfshirë garancinë se lufta nuk do të përsëritet, mbylljen e bazave ushtarake amerikane në rajon dhe dëmshpërblim për Iranin.

Teherani kërkon gjithashtu ndërprerjen e luftës kundër të gjitha grupeve të lidhura me Teheranin, një rregullim të ri ligjor për Ngushticën e Hormuzit, si dhe ndjekjen penale të mediave “anti?iraniane”.

Tasnim, agjenci e lidhur me Gardën Revolucionare, e publikoi këtë listë kushtesh në një moment të rritjes së tensioneve rajonale dhe bllokimit të Ngushticës në Hormuz. Situata e luftës vazhdon me sulme dhe kundërsulme ushtarake ndërmjet palëve.