Në Maqedoninë e Veriut nafta me 140 lekë për litër, por shqiptarët e paguajnë gati dyfish!

Pothuajse të gjitha vendet e rajonit dhe Evropës kanë marrë masat për uljen e çmimit të karburanteve dhe mbrojtjen e konsumatorëve përballë konfliktit dhe krizës që po prodhohet nga lufta në Lindjen e Mesme.

Në momentet kur qeveria po qëndron pasive dhe shqiptarët po përballen më një çmim aspak nòrmal të tregtimit të naftës dhe nënprodukteve të saj, e kundërta ndodh në rajon.

Paradoksi është jo shumë larg nesh, ku vendet e rajonit jo vetëm që kanë një çmim të përballueshëm për qytetarët e saj, por edhe po e subvencionojnë dhe po ulin akcizën e naftës.

Realiteti në fqinjin tonë të Maqedonisë së Veriut, është në kontrast të fortë me tregtimin e naftës për qytetarët në Shqipëri.

Në Maqedoninë e Veriut nafta me 140 lekë për litër, por

Sot, 25 mars, në Maqedoninë e Veriut nafta tregtohet me 92.2 denarë për litër siç shihet nga fotot e siguruar nga vendi fqinj, e në një pikë tjetër karburanti ajo tregtohet akoma dhe më lirë, me 88.0 denarë për litër, ndërsa arrin në gati 143 lekë për litër e konvertuar nga denari.

Ndërkohë në Shqipëri, tregtimi i naftës ka arritur në 214 lekë për litër, e në disa raste ka kapur shifrën e 220 lekë për litër, në një kohë kur tregjet ndërkombëtare në bursat e naftës kanë pësuar ulje-ngritje si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, të pasur me rezerva hidrokarburesh.

Shqipëria ende nuk ka rezervë shtetërore të sigurisë së naftës. Agjencia Shtetërore e Rezervave të Sigurisë së Naftës ende nuk është ngritur pasi projektligji që ligjëron ngritjen e këtij institucioni, pret prej 7 vitesh të marrë dritën jeshile.

Në Maqedoninë e Veriut nafta me 140 lekë për litër, por

Kur shpërtheu lufta në Ukrainë në vitin 2022, u premtua krijimi i rezervës shtetërore dhe futja e shtetit si aktor në tregun e naftës. Sot, më 2026, premtimi u riciklua.

Instrumentet ndryshojnë emra, por jo rezultat. Dje ishte bordi i transparencës. Sot është Task-Forca e naftës. Megjithatë, çmimi në pompë vazhdon të rritet.

Pa një rezervë strategjike, shteti nuk ka asnjë instrument real për të ndërhyrë në treg. Nuk ka stok për të hedhur në qarkullim, kur çmimet rriten, ndërsa në këtë vakum politikash, kostoja kalon drejtpërdrejt tek qytetarët.