Gazetari Ferdinand Dervishi ka komentuar procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Durim Bamit, i cili pak javë më parë u ekstradua në vendin tonë.
Sipas Dervishit, nëse Bami bashkëpunon me drejtësinë, mund të zbardhen një sërë ngjarjesh kriminale, ku ai përmend zhdukjen e biznesmenit Ervis Martinaj, vrasjen e bankierit Artan Santo dhe zhdukjen e Enver Stafukës.
Ndërsa më tej ai deklàron se nuk beson që Bami do të kthehet në një “të penduar”.
“Emër i madh në krimin shqiptar, përfaqësues i njohur i grupit të Fushë-Krujës, që ishin në shërbim të bandave të njohura si intimidues dhe vrasës me pagesë. Durimi është më i vjetri, pasi që në moshë të vogël akuzohej për vendosje tritoli në shtyllat e tensionit të lartë. Ishte kryeministër Meta dhe ishte trend që shtyllat e tensionit të shpërtheheshin që t’i uleshin pikë Nanos. Më pas del pjesë në një bandë me vrasës me pagesë. Në psikologjinë e një personi të tillë, ata nuk janë të prirur të bashkëpunojnë. Nuk duan të hapin më tej telashe për veten, janë shumë të kujdesshëm. Nuk besoj se do të bashkëpunojë. Nëse do të kthehej, do të ndodhte një revolucion i paparë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri; do të zbardheshin një sërë vrasjesh, mes të cilave ajo e Ervis Martinajt, me një implikim shumë të gjerë, ajo e Artan Santos, atentati ndaj Tom Doshit, zhdukja e Enver Stafukës etj. Zhdukja e Vis Martinaj tund themelet”, tha ai.
Po ashtu, gazetari ka bërë një deklaratë të fortë për zhdukjen e Ervis Martinajt, teksa ka rrëfyer dinamikën dhe të dyshuarit e përfshirë. Sipas tij, Martinaj shkoi me tre makina me persona të armatosur në vilën ku u zhduk. Ai shton se, pasi ish-bosi i lojërave të fatit hyri në vilë, shoqëruesit e tij të armatosur u rrethuan nga persona të veshur si policë.
“Nëse ngjarja do të zbardhej, do të dilte në pah implikimi i politikës, piramida e krimit të organizuar në Shqipëri dhe oligarkët që u bënë bashkë për ta eliminuar Martinajn. Atë ditë, Martinaj nuk ka shkuar vetëm. Ka shkuar me tre makina me njerëz të armatosur, por kundërshtarët ishin përgatitur për disa skenarë. Kishte kohë që plani po përgatitej. Njerëzit që shoqëronin Martinajn, pasi ai hyri në vilë, panë përballë shumë persona të veshur si policë, që nuk ishin të tillë. Ky ishte fati i tij që u gatua. Ka pa fund dëshmitarë, por ka shumë njerëz që nuk u intereson zbardhja”, tha Dervishi në News24.